Borchardt kërkon kthimin e dispozitës: Të refuzohen listat që s'plotësojnë kuotat gjinore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, rekomandoi sot që në Kodin Zgjedhor të kthehet dispozita që lejon refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësojnë kuotën gjinore.

 Duke folur në një konferencë për gratë në politikë, organizuar nga UN Women, Borchardt tha: “Kodi Zgjedhor i mëparshëm përmbante një dispozitë, që lejonte refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësonin kuotën gjinore ligjore. Kjo dispozitë është hequr në Kodin e tanishëm. Ne rekomandojmë fuqimisht rivendosjen e dispozitës që lejon refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësojnë kuotën gjinore. Thjesht vendosja e një gjobe për partitë politike, listat zgjedhore të të cilave nuk plotësojnë kuotën gjinore, nuk e çon përpara kauzën e grave në politikë po aq mirë sa refuzimi i listave. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë për të siguruar kushtet për pjesëmarrje të hapur dhe të drejtë të grave në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve brenda partive.”

Borchardt shtoi se prirja pozitive e viteve të fundit lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë duhet të ruhet e të çohet më tej. 

“Ndoshta dikur në të ardhmen mund të shohim një grua kryeministre në Shqipëri, duke ndjekur kështu prirjet evropiane dhe rajonale. Deri atëherë, ne punojmë në mënyrë të përkushtuar që të shohim më shumë gra këshilltare vendore, deputete dhe në poste të larta shtetërore”, tha ai.

Propozimi i OSBE u mbështet dhe nga përfaqësuesit e dy partive të mëdha në vend.

Blerina Gjylameti: "Të heqim këto penalitete dhe ta bëjmë të detyrueshme. Pra refuzim të listës në momentin kur nuk është 30 %"  

Oerd Bylykbashi: Të bëhet menjëherë refuzimi i drejtëpërdrejtë i listave që nuk plotësojnë një minimu të diskutueshëm.

Sipas një studimi të UN Women në Shqipëri gratë kanë pengesa për tu përfaqësuar dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Më problematike në këtë drejtim janë Lezha, Elbasani dhe Kukësi. 

EMISIONET