BOOM: Ujësjellësi Tepelenë shkel procedurat për tenderin

Emisioni investigativ "BOOM" denoncoi mbrëmjen e sotme shkeljet ligjore të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Tepelenë lidhur me një tender të hapur prej saj për rikonstruksionin e rrjetit. Fituesi u shpall, por Autoriteti kontraktor nuk ka pranuar ankimimin e pjesmarrësve të tjerë në garë të pakënaqur nga vendimi i komisionit të vlerësimit të ofertave për këtë tender. Kontrata u lidh në shkelje të ligjit pa u ezauruar procedura e ankimimit.

Autoriteti kontraktor SHA. Ujësjellës-Kanalizime Tepelenë ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit Memaliaj me fond limit 83 333 021 pa TVSH.

Në datë 29.10.2018 ky autoritet bëri dhe shpalljen e renditjes së operatorëve ekonomik, duke shpallur fituesin e tenderit.

Ligji për prokurimin publik, ka parashikuar se operatorët e tjerë pjesëmarrës në tender nëse nuk janë dakord në lidhje me vlerësimin e bërë nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave për këtë tender, mund të bëjnë ankim.

Në ligjin për prokurimin publik Neni 63 , pika 2. thuhet:

-Ankesa kundër vendimeve të autoritetit kontraktor[1] i paraqitet, së pari, me shkrim, autoritetit kontraktor në fjalë brenda 7 ditëve[2] nga dita e nesërme e punës[3] kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas këtij ligji.

Pjesëmarrësit në këtë tender, pas shpalljes së fituesit të tenderit, më datë 29.10.2018, kishin 7 ditë kohë për të bërë ankimin pranë SHA.Ujësjellës Kanalizime Tepelenë.

Në datë 4.11.2018, një nga garuesit e tenderit, konkretisht Bashkimi i operatorëve “Vllaznia Ndërtim IS dhe Ndregjoni sh.p.k, pra në ditën e gjashtë, brenda afatit 7 ditor të parashikuar në ligj për ankimim, dërgon online, por edhe me postë rekomande ankesen e tij drejt autoritetit kontraktor, UK Tepelenë.

Ankesa online ka mbërritur në datën 4 , ndërsa me postë në datë 6 nëntor. Pra online brenda afatit, ndërsa me postë 1 ditë pas përfundimit të afatit zyrtar.

Por duke ju referuar ligjit nr.44/2015 , Kodi i procedurave administrative ne Republiken e Shqiperise

Neni 57- Prezumime për llogaritjen e afateve thotë :

1. Dita e paraqitjes së kërkesës, për efekt të llogaritjes së afateve procedurale që ecin në dëm të palës, konsiderohet ajo e:

a) depozitimit të kërkesës në postë, kur kërkesa dërgohet me postë të porositur;

Pra, data e depozitimit të kërkesën në postë, sikurse ajo e ankesës online është datë 4.11.2018 , çka do të thotë se kjo ankesë duhet të merrej në shqyrtim nga ana e SHA ujësjellës kanalizime pasi është depozituar brenda afatit ligjor.

Sa më lart SHA Ujësjellës Kanalizime Tepelenë, autoriteti kontraktor që ka zhvilluar prokurimin, nuk e ka marrë parasysh këtë ankim, duke shkelur kështu hapur ligjin.

Administratori i Ujësjellësit Tepelenë: Unë quaj ankesën me shkrim

Arsyet se përse SH.A U.K Tepelenë që ka bërë këtë prokurim nuk e ka marrë parasysh këtë ankim, duke shkelur kështu hapur ligjin, "BOOM" ja kërkoi administratorit të SHA UK Tepelenë, Jetnor Haska.

Gazetarja: Në rastin e dërgimit të ankesës online që është bërë më datë 4.11.2018,paralelisht sikurse jeni bërë me dije, është bërë po në datën 4 dërgesa me postë.Paravërisht se juve ju ka mbërritur në datën 6.Prezumimi për llogaritjen e afateve në bazë të kodit të procedurës administrative që besoj juristët që merren me prokurimet, që bashkëpunojnë besoj dhe me ju për realizimin e tyre duhet të jenë në dijeni se : "Dita e paraqitjes së kërkesës, për efekt të llogaritjes së afateve procedurale që ecin në dëm të palës, konsiderohet ajo e depozitimit të kërkesës në postë, kur kërkesa dërgohet me postë të porositur. Që do të thotë data 4 dhe jemi brenda afatit.

Administratori i UK Tepelenë: Shiko ai ka vajtur në KPP dhe është një organ tjetër që do i vlerësojë këto afate, një. E dyta, unë konsideroj ditën që më vjen këtu. Mua më ka ardhur më datën 6.

Gazetarja: Ju nuk mund të merrni datën 6, duhet të merrni datën 4 , se e përcakton ligji. Madje dhe kodi i procedurës administrtive.

Administratori i UK Tepelenë: Dëgjo mua tani. Afati im ka mbaruar në datën 5.Në datën 5, unë shpall njoftimin e fituesit. Ku ta di unë që ai e ka postuar ...


Gazetarja: Po të ka ardhur, prandaj të ka ardhur online. Pra, jeni vënë në dijeni që në datën 4.

Administratori i UK Tepelenë: Unë i quaj dy ankesa, një online dhe një me shkrim.Unë quaj atë me shkrim.

Gazetarja: Po është e njëjta ankesë.

Administratori i UK Tepelenë: Janë dy ankesa një online që se kam quajtur dhe një me shkrim.

Gazetarja: Po ligji thotë merret data kur është postuar me postë rekomande.

Administratori i UK Tepelenë: Unë marr datën kur ka mbërritur.

Gazetarja: Po pse merrni këtë, se doni ju ta merrni?

Administratori i UK Tepelenë: Se kështu thotë ligji.

Gazetarja: Po jo nuk thotë ligji ashtu.

Administratori i UK Tepelenë: Unë kështu e interpretoi.

Gazetarja: Më thoni pak ku është ligji që e thotë.

Administratori i UK Tepelenë: Ditën që ajo protokollohet në postë.

Gazetarja: Po ku e thotë ligji? Ligji për prokurimin publik nuk e parashikon këtë.

Administratori i UK Tepelenë: Ai mund ta ketë postuar para 10 ditësh.

Gazetarja: Pse i keni shkelur procedurat ligjore të prokurimit?

Administratori i UK Tepelenë: Nuk kam shkelur asnjë procedurë.

Gazetarja: Po i keni shkelur, sepse ju dilni mbi ligjin. Pra, ju mirë që mbyllni njërin sy, kur ju vjen ankimi online dhe justifikoheni që online se marrim parasysh.

Administratori i UK Tepelenë: Në momentin që më ka ardhur unë i kam kthyer përgjigje.

Gazetarja: Po në datën 4 pra është nisur me postë. Dhe ligji thotë merret data kur është nisur, me postë rekomande.

Administratori i UK Tepelenë: Unë ligjin e interpretoj data që mua më ka ardhur shkresa.


Gazetarja: Kush ligj e parashikon?

Administratori i UK Tepelenë: Ankimi ka ardhur me shkresë moj.

Gazetarja: Po me shkresë, po cili ligj e parashikon këtë që thoni ju?

Administratori i UK Tepelenë: Po cili ligj e parashikon këtë, data që niset?

Gazetarja: Ja pra ja u nxora unë, urdhëro.

Administratori i UK Tepelenë: Ku pra ma jep.

Gazetarja: Urdhëro, lexojeni ju lutem.

Administratori i UK Tepelenë: Çfarë thotë, ku e ke?

Gazetarja: Lexojeni, pika a, lexojeni.

Po çfarë thotë zyra e Agjencisë së Prokurimit Publik?

"BOOM" kontaktoi në telefon zyrën juridike pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për një sqarim lidhur me rastin.

Gazetarja: Jemi një operator që kemi marrë pjesë në një tender.Me shpalljen e rezultateve të tenderit, ne kishim për të bërë një ankim.Këtë ankim e kemi depozituar online fillimisht, sigurisht brenda afatit 7-ditor.

Zyra Juridike, Agjencia e Prokurimit Publik: Po.

Gazetarja: Ky ankim quhet se na thotë autoriteti kontraktor tani që ne nuk e quajmë ankimin në këtë formë , por duhet ta kishit bërë detyrimisht me shkrim.

Zyra Juridike, Agjencia e Prokurimit Publik: Po, tani shiko.Ankesat ju e keni aty.Është e qartë.Ankesat lidhur me dokumentacionin, lidhur dhe me DST-në, duhet të dorëzohen, përveçse mund ta dërgoni dhe në mënyrë elektronike, detyrismisht në formë të shkruar.

Gazetarja: Është dërguar dhe në formë të shkruar, më falni zonjë, por ka mbërritur një ditë me vonesë.

Zyra Juridike, Agjencia e Prokurimit Publik: Po në formë elektronike si ka mbërritur?

Gazetarja: Në formë elektronike brenda afatit. Atëherë duhet të ishte marrë parasysh?

Zyra Juridike, Agjencia e Prokurimit Publik: Duhet t`i referosh atë VKM-në që e ka pika e VKM që AK në rast se i vete elektronike, jo automatikisht duhet ta anullojë këtë ankesën e bërë, por duhet t`i kërkoj operatorit që ta paraqesë në formën e duhur dhe duke i lënë dhe një afat.

Gazetarja: Ata nuk duhet të kishin lidhur kontratën me fituesin, kur i vajti online ky ankimi.

Zyra Juridike, Agjencia e Prokurimit Publik: Po, po, po. Duhet t`ju drejtoheshit ju, të kërkonit që ta paraqisnit brenda afati për sa kohë që është çuar.

Ku konsistojnë shkeljet proceduriale në lidhjen e kontratës

Në shkelje të ligjit SHA.Ujësjellës Kanalizime Tepelenë nuk mori në shqyrtim ankesën e njërit prej operatorëve pjesëmarrës në këtë tender.

Por pasi ankesa mbërriti edhe me postë, Ujësjellësi i ka kthyer përgjigje bashkimit të operatorëve që ka bërë ankim, se ankesa nuk është pranuar pasi është bërë jashtë afatit zyrtar, duke marrë parasysh jo datën kur ka shkuar ankesa online, as atë kur është nisur me postë, siç e parashikon ligji, por atë të mbërritjes nga posta. Kjo shkresë është dërguar nga Ujësjellës Kanalizme sha Tepelenë në datë 7.11.2018

Ligji për prokurimin publik Neni 63 , pika 5 dhe 6. thonë:

5. Autoriteti kontraktor shqyrton ankesën dhe merr një vendim të arsyetuar brenda 7[4]ditëve pas marrjes së ankesës, të cilin duhet t’ia njoftojë ankuesit jo më vonë se në ditën vijuese të punës.

6. Nëse autoriteti kontraktor nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim në Komisionin e Prokurimit Publik[5] brenda 10 ditëve[6] nga dita e nesërme e punës, pas përfundimit të afatit kohor, të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, ose, në rast se ankesa nuk pranohet nga autoriteti kontraktor, që nga dita kur ankuesi është njoftuar nga AK.

Nga një llogari e thjeshtë del se përgjigjia e ankimit u nis me postë në datë 7.11.2018 drejt operatorit ekonomik. Nga kjo ditë, operatori ekonomik ka 10 ditë kohë sipas ligjit të ankohet në Komisionin e Prokurimit Publik. Pas këtij momenti parashikohet lidhja e kontratës me fituesin e tenderit.

Kontrata për fituesin e këtij tenderi është lidhur në datë 14.11.2018, në shkelje të hapur të ligjit. Pasi kjo kontratë duhet të ishte lidhur pas datës 17.11.2018, kohë deri në të cilën i lihet afat autoritetit kontraktor të paraqesë ankim në Komisionin e Prokurorimit Publik, pranë APP.

Por edhe këtë të drejtë ja ka privuar SHA UK Tepelenë, bashkimit të operatorëve Vllaznia Ndërtim IS dhe Ndregjoni SHPK, pasi ka lidhur Kontratë në shkelje të hapur të ligjit për prokurimin publik.

Po çfarë tha për gazetaren e "BOOM" administratori i Ujësjellës Kanalizime Tepelenë.

Gazetarja: Në datën 7.11.2018 ju i keni kthyer një përgjigje, bashkimit të operatorëve, apo jo?

Administratori i UK Tepelenë: Po.

Gazetarja: Dhe i keni bërë me dije që ankimi juaj nuk është marrë parasysh, për këto rrethana dhe për këto arsye.Ligji i prokurimit publik, po neni 63 në pikën 6 shprehet: Nëse autoriteti kontraktor që jeni ju, nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, pra afatit 7 ditor që ju e refuzuat,ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim në Komisionin e Prokurimit Publik[5] brenda 10 ditëve. Pra nga data 7, ka 10 ditë operatori ekonomik që të bëj ankimin në KPP. Ju keni lidhur kontratën në datë 14.Pra, si mund ta lidhni kontratën ju pa u ezauruar faza e ankimit në KPP?

Administratori i UK Tepelenë: Se unë nuk e kam quajtur ankesën.

Gazetarja: Pavarësisht, dhe në rast se e refuzon thotë ligji. Do presësh 10 ditë deri sa të ankohet në KPP.

Administratori i UK Tepelenë: Unë se kam quajtur, vazhdoj procedurën normalisht.

Gazetarja: Po e ke refuzuar, të lutem. Dhe nëse nuk shqyrtohet ankesa dhe nëse refuzohet ...Pra ju nuk e keni shqyrtuar, e keni refuzuar.

Administratori i UK Tepelenë: Jo nuk e ka ashtu. E kam refuzuar.

Gazetarja: Lexoje të lutem. Ose nëse refuzohet thotë aty.

Administratori i UK Tepelenë: Brenda 10 ditëve.Në rast se unë nuk i kthej përgjigje...


Gazetarja: Më fal ju i keni kthyer përgjigje në datën 7.Pse merrni raste hipotetike, të supozuara. Ju i keni kthyer.

Administratori i UK Tepelenë: Se nuk e kam quajtur.

Gazetarja: Shumë mirë, e ke refuzuar, po e ke refuzuar me shkresë drejtor.

Administratori i UK Tepelenë: Nuk e kam quajtur.

Gazetarja: Po dakord, po e ke refuzuar me shkresë, që do të thotë refuzimin tuaj ai mund ta çoj në KPP, bashkë me provat që ka.

Administratori i UK Tepelenë: Po, shumë bukur e ka çuar.

Gazetarja: Po ka 10 ditë kohë.

Administratori i UK Tepelenë: Tani e ka çuar.

Gazetarja: Po ka 10 ditë kohë mo drejtor, ti ke lidhur kontratën. Më datë 14, ju keni lidhur kontratën.Pra ju duhet ta lidhnit kontratën pas datës 17, jo në datë 14. Është në shkelje të ligjit.

Administratori i UK Tepelenë: Kam vazhduar procedurën normalisht.

Gazetarja: Po si mund ta vazhdoni, ju ngarkon ligji të prisni dhe 10 ditë të tjera.

Administratori i UK Tepelenë: E kam refuzuar ankesën.

Gazetarja: Po, pra edhe nëse e refuzoni e thotë ligji duhet të prisni 10 ditë për ankim në KPP.

Administratori i UK Tepelenë: Ajo ka vajtur në KPP, të shprehet KPP për atë.


EMISIONET