Emisioni 'BOOM' vazhdon investigimin në institucionin e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

Në ditën e dytë gazetarët faktojnë përdorimin e këtij institucioni dhjetëra vjeçar si pronë private.

Një gazetashitës është ai që kujdeset në mëngjes për hapjen e dyerve në Teatrin e Kukullave.

Por një nga problematikat më të rënda të hasura nga gazetarët është ajo e sigurisë në këtë institucion që mirëpret fëmijët e kryeqytetit.

Nuk ka as kamera sigurie, as shkallë emergjence, e mbi të gjitha fikëset e zjarrit nuk janë kolauduar prej dy vitesh.

Abuzimet vazhdojnë pikërisht me aktorët. Një prej tyre, pjesë e projektit të të rinjve, financuar nga Ministria e Kulturës, trainuar prej katër vjetësh në këtë zhanër, tregon se në audicionet e zhvilluara për aktor kukullash asnjëherë nuk ka fituar ndonjë konkurent i trajnuar.

Ai hedh dyshime të forta mbi tarafet në përzgjedhjen që bën juria e formuar nga përzgjedhës aspak profesionistë.

Denoncuesi: Para disa vitesh është bërë një projekt. Ka qenë projekt nga Ministria e Kulturës, i financuar nga shteti. Në atë kohë drejtor teatri ka qenë Flamur Shehu kompozitori. Projekti ishte, projekti i të rinjëve quhej. Konsistonte në atë që aktori konkuronte për të marrë pjesë në projekt. Nga ky konkurs zgjidheshin ata aktorë çuna apo goca që kishin të dhëna në mjeshtëri aktori. Me të fituar projektin zhvillohej një shfaqe me teatrin e kukullave dhe stafi i teatrit të kukullave ndihmonte në realizimin e kësaj shfaqe. Kjo ishte një lloj shkolle dhe arsyeja që u bë projekti kjo ishte: Duke qenë se Akademia e Arteve nuk ka një shkollë specifike për teatrin e kukullave, atëherë të krijojmë një projekt, ku aktorë të rinj të konkurojnë, të fillojnë të mësojnë kukullën duke fituar të drejtën e marrjes pjesë në projekt, që në një të ardhme, kur nga ky teatër të dalin aktorë në pension, të kishte kush t`i zëvendësonte. Nëse nuk ka një aktor që të di të artikuloj kukullën, i bie që zhanri i kukullës këtu tek ne të zhduket. 

BOOM tentoi të merrte edhe një reagim nga drejtoresha e Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja, por si përherë në raste kur nuk ka lavdërime, u kërkua t’i drejtoheshim me shkrim.

Gazetarja: Përshëndetje. Si jeni, mirë? Zonja Drejtoreshë... 

Drejtoresha e Teatrit të Kukullave: Je me mikrofon? 

Gazetarja: Po, nga Ora News vij. 

Drejtoresha e Teatrit të Kukullave: Ju lutem juve të Ora News që të vini të trokisni tek dera duhet të paraqisni një shkresë për çfarë dëshiron që ne të jemi në dispozicionin tuaj. 


Gazetarja: Po ja ne po kërkojmë një reagim të asaj që kemi publikuar dje në emisionin "Boom".Besoj se për këtë nuk ka nevojë për shkresë. 

Drejtoresha e Teatrit të Kukullave: Patjetër me shkresë. 

Gazetarja: Nuk keni një reagim? 

Drejtoresha e Teatrit të Kukullave: Sigurisht që kam unë një reagim. Kam shumë reagime, por bëni një shkresë, që unë t`iu përgjigjem. T`i drejtoheni institucionit. 

BOOM sërish nesër do të shfaqë të tjera materiale lidhur me abuzimet në Teatrin e Kukullave Tiranë.

Lexo: Teatri i Kukullave shfrytëzon shfaqjet e repertorit për të përfituar para privatisht

 

/Ora News.tv/