BOOM: Shkolla "Haxhi Hajdari" hap dyert për fëmijet mes mykut dhe lagështirës

Emisioni BOOM ka startuar sezonin e ri këtë të hënë në Ora News, ku në qendër do të jenë hallet dhe problematikat që shqetësojnë qytetarët.

Në nisje edhe të vitit të ri shkollor, tema e parë e emisionit ishte problematika në shkollën "Haxhi Hajdari" në Njësinë Administrative Rrethina, 3 km larg qytetit të Shkodrës.

Kamera e BOOM pa nga afër kushtet që kjo shkollë i ofron nxënësve në këtë vit të ri shkollor.  Ky institucion ngjan më shumë me një magazinë të braktisur, ku muret janë të mbuluar nga lagshtira, tualetet jashtë funksionit dhe ka mungesë të ujit.

Punimet filluan një javë para nisjes së shkollës

Bashkia e Shkodrës vetëm shtatë ditë përpara ka hapur dritën jeshile duke i akorduar shkollës një fond për rregullimin e çatisë, ndërkohë që punimet vijojnë ende, nxënësit janë të pakënaqur me shkollën e tyre.

"Nuk kemi banjo, nuk kemi as ujë", thotë një nxënëse e klasës së katërt.

"Nuk është shkolla aq e mirë. Dua që  shkollën ta lyejnë dhe ta rregullojnë", tha një tjetër nxënëse.

"Banja është e pistë, nuk ka ujë", u shpreh një tjetër vogëlushe.

Drejtori i shkollës: Bashkia ka në administrim shumë shkolla

Drejtori i shkollës pranon mungesën e ujit në shkollë, ndërkohë që thotë se punimet për çatinë po vijojnë, ndërkohë që me pas pritet të lyhen dhe ambientet e brendshme të shkollës. Pyetjes se përse janë lënë përgjysmë instalimet elektrike i përgjigjet se ka ardhur një firmë e panjohur, ka filluar punimet, i ka lënë përgjysmë dhe ka ikur.

Fitim Buhaj, drejtor i shkollës: Problem kryesor mbetet lyerja, e cila do të kryhet. Por ka qenë problem numri i madh i shkollave që ka në administrim bashkia dhe nuk ka arritur deri tani ta kryejë. Sot fillon lyerja në shkollën "Haxhi Hajdari".


Gazetarja: Unë pashë që instalimet elektrike ishin të pambyllura, pse ka ngelur ashtu?

Fitim Buhaj, drejtor i shkollës: Është bërë një investim për rrjetin elektrik të shkollës i cili ka mbetur i papërfunduar prej marsit. As unë nuk jam i qartë se kush e ka bërë këtë investim, por ka ardhur me përfaqësues të pushtetit vendor një person që ka kryer punimet dhe i ka lënë përgjysmë. 

Gazetarja: Shkolla këtu nuk ka ujë, çfarë masash pritet të merren?

Fitim Buhaj, drejtor i shkollës: Aktualisht shkolla furnizohet me ujë, por duke pasur parasysh periudhën e zgjatur e thatësirës, pusi ka shteruar. Kam kontaktuar me administratorin e njësisë administrative dhe do të bëhet edhe thellimi i pusit. 

Gazetarja: Ju ka dhënë ndonjë afat

Fitim Buhaj, drejtor i shkollës: Shumë shpejt

Amortizimi i shkollës dëmton fëmijët e kopshtit. Edukatoret marrin ujë nga shtëpia

Por brenda ambienteve të shkolles ndodhet dhe kopshti, i cili ka 35 fëmije. Dritaret e amortizuara rrezikojnë të bien në çdo moment, duke i rrezikuar jetën fëmijëve. Edukatorja thotë se investimet e bashkise janë zero, as fond për të lyer kopshtin nuk i është dhënë për këtë vit. Ndërsa mungesa e ujit ka bërë që edukatoret të mbushin kova me ujë në lagje për t'i plotësuar kushtet më minimale të të vegjëlve.

 Roja i shkollës ka 3 vjet që nuk paguhet

Ka 3 vite që roja i shkollës nuk paguhet, sepse bashkia nuk ka fonde. Ai shprehet sa herë shkoj te bashkia me mbajnë me shpresë, por akoma nuk kam marrë asnjë rrogë.

Gazetarja: Sa kohë keni që nuk merrni rrogën

Roja i shkollës: Që në 2015 deri tani nuk kam marr rrogë

Gazetarja: Vazhdoni ta ruani shkollën?

Roja i shkollës: Po vazhdoj

Gazetarja: Po kush do të të paguajë ty

Roja i shkollës: Bashkia duhet të në paguajë, rojet e qytetit i paguan, ndërsa ne jo

Gazetarja: Nëse do ta kishit kryetaren e bashkisë çfarë do t'i thoshit?

Roja i shkollës: Unë i them të na japë lekët, se unë kam paguar 3 vjet rresht


EMISIONET