BOOM: Në familjen Çepele koha ka ndaluar, 8 anëtarët pa strehë dhe ushqim

Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora News solli këtë të premte një tjetër rast nga Shqipëria e varfërisë ekstreme.

Në familjen Çepele në fshatin Kallm të Fierit, një nga zonat më të varfra të këtij qarku, koha ka ndaluar.

Tetë anëtarët e familjes, prindërit dhe 6 fëmijët, jetojnë në një shtëpi 100-vjeçare e cila nga momenti në moment rrezikon ti zërë poshtë.

Kryefamiljarja: Kam 15 vjet që jetoj në këto kushte, kam 6 fëmijë. Po zuri ndonjë stuhi unë do t'i marr fëmijët dhe i nxjerr jashtë, i mbuloj me plasmas. Brenda nuk i lë dot se i zë poshtë.Shtëpia është me kallama dhe plasmas, pikon nga lart.

Djali: Kur fryn era, lëkundet shtëpia dhe dal jashtë. Edhe detyrat i bëj jashtë.

Djali tjetër: Kur fryn stuhi natën ne dalim përjashta. Kalojmë gjithë natën jashtë, mbulohemi me plasmas.


Por streha nuk është i vetmi hall që ka kjo familje. I vetmi burim të ardhurash për ta janë paratë që fitojnë nga shitja e bretkosave, të cilat i kapin në kanale.

Me këtë punë kryesisht merren djemtë e familjes, edhe pse në moshë minorene. Ndërsa ato pak të ardhura që mund të sigurojnë shkojnë vetëm për blerjen e bukës.

Sa për ushqim, shpresa është vetëm tek njerëzit humanë që u falin ndonjë gjë.

Kryefamiljarja: E kam siguruar me të keq se nuk kam çfarë bëj. I dola para një makine dhe i thashë: Aman më jep një thes miellë për fëmijë. Për fëmijë do ta jap tha, nuk të dua lek. Djali i vogël hyn nëpër kanale me ujë për të kapur bretkosa. Mami, të marr një bukë, dy bukë thotë. Fëmijët i ushqej me turshi, kush më ndihmon me ndonjë kg vaj, oriz, ua bëj ndonjë çikë supë të hollë. Edhe në shkollë kështu i nis, ndonjëherë dhe pa ngrënë. Kush u fal ndonjë 100 lekë. Po pata ndonjë kokërr vezë nga ato katër pula, ua bëj.


Djali: Përditë dal për zhaba nëpër kanale.Në ditë bëj 1 kg, 2 kg.Fitoj 3 mijë lekë nga 1 kg bretkosa. Lekët ja jap mamit dhe blen bukë.

Kryefamiljari: Shtëpinë e kam trashëguar nga daja. Jam rritur jetim. Jam i paaftë, i sëmurë, kam dhimbje koke. Nuk bëj gjumë natën, jam i sëmurë. Kam 20 vjet, kam kaluar infrakt në zemër. KEMP-in ma kanë hequr. Doktori më tha hajde shtrohu në spital dy ditë që të marrësh pension.Por nuk kam lekë. Shtëpia nuk bën, nuk kam hallin tim por të fëmijëve.Më mirë të më zërë mua.


EMISIONET