BOOM: Lot fëmijësh që ulërasin për ndihmë! Drama sociale e familjes Rrapo në Këlcyrë

Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora News solli mbrëmjen e sotme dramën sociale të familjes Rrapo në fshatin Kuqar të Këlcyrës.

Familja 5 anëtareshe, prindërit dhe tre fëmijët e mitur të moshës 13, 11 dhe 9 vjeç jetojnë në një banesë që dikur ka qenë magazinë.

Objekti sot është terësisht i amortizuar, ku  çfarë bie jashtë, hyn brenda. Ndërkohë që dimri është përpara.

Në këto kushte ata detyrohen të mbulohen me plasmas në banesë. Jo vetëm pa strehë, por edhe me barkun bosh, pasi të ardhurat e tyre ekonomike janë minimale.

Kryefamiljari thotë se punon me ditë kur kap ndonjë punë, por siç tregon ai pjesën më të madhe të kohës është në shtëpi.

Gruaja: Kam 19 vjet që po vuaj, tre fëmijë po më vuajnë pa bukë, pa gjë. Nuk punoj. Këtu në divan flemë të gjithë të mbuluar me plasmas se pikon.Ushqimet i mbaj në këtë sirtar, shikoje është bosh, çorbë u kam bërë, bukë dhe ujë. Kanë 4-5 ditë vetëm çorbë. Kam 5 fëmijë, por dy vajzat janë martuar 14 vjeçe, njëra në Berat dhe tjetra në Katundisht. 


Kanë ikur nga halli. Mami më tha, do iki se i shikoj kushtet e tua, të rrimë pa bukë, do iki. Kam qarë me lot, më është bërë zemra plagë për to. Vajzës që kam këtu i ra të fikët një ditë te shkolla se kishte fjetur pa ngrënë. I dhashë bukë thatë, nuk i duroj dot, më mirë të rri vetë pa bukë, se këta.

Kryefamiljari: Punoj kur del puna, më shumë në shtëpi se në punë.

Gazetarja: Nëse ty të ofrohet një vend pune e pranon?

Kryefamiljari: Po e pranoj, vete.

Djali: Me tre pula po jetojmë, mishin se kemi parë njëherë me sy.Vetëm çorbë dhe bukë e sheqer. Mërdhijmë këtu, është ftohtë. Ndonjë nuk na ndihmon. Shkoj në shkollë pa ushqim. Nuk kemi asgjë.  Me mësime jam mirë, marr 9 dhe 10. Më pëlqen lënda e gjuhës, kur të rritem dua të bëhem mësues.


Vajza: Jam 13 vjeç, shkoj në shkollë në klasë të 7. Nuk kemi ushqim as shtëpi. Hamë një vakt në ditë, në darkë flemë pa bukë se nuk kemi asgjë.


Djali: Nuk ka blerë asgjë mami, nuk kemi. Xhamat janë thyer të gjitha. Dje në darkë ka rënë shi, pikoi dhe u qulla. Më doli gjumi natën.


"BOOM" iu drejtua bashkisë së Këlcyrës për problemin e kësaj familje. Nënkryetari, Riza Allamani, thotë se janë në dijeni të gjendjes së 5 anëtarëve të familjes Rrapo dhe se janë përpjekur ti ndihmojnë përmes kontakteve me biznese dhe shoqata, pasi vetë bashkia nuk disponon fonde që të mund tu sigurojë një banesë.

Allamani: Jemi përpjekur që tu vijmë në ndihmë, por me fondet që disponojmë është e pamundur nga ana e bashkisë për tu siguruar një banesë atyre. Kemi kontaktuar dhe me shoqata të ndryshme dhe me firma të cilat deri më sot na kanë dhënë një premtim, por akoma deri më sot nuk kanë ardhur konkretisht për të ndërhyrë në mënyrë që të krijojmë një banesë të përshtatshme për ta.


 Familja është në vështirësi ekonomike dhe të mënyrës së jetesës. Në atë fshat që jetojnë kanë edhe probleme me transportin e fëmijëve që sjellin në shkollë, që u rëndon koston e jetesës së familjes së tyre. Megjithatë në të ardhmen të shikojmë, mbase ky problem do të gjejë një zgjidhje të mirë për ata.


EMISIONET