Emisioni "BOOM" në Rtv Ora News, solli mbrëmjen e sotme rastin e Rozina Kalivaçit, banuese në Strum të Rroskovecit e cila që në femijëri është diagnostikuar me epilepsi. Për 20 vite ajo ka përfituar KEMP për sëmundjen e saj, por ka 2 vite që KEMP-i i është ndërprerë dhe për pasojë dhe mjekimet e përditshme nuk i përfiton me rimbursim.

E ndodhur në këto kushte, sëmundja e saj sa vjen e përkeqësohet pa ilaçe, ndërsa në kufijtë e lutjes ajo kërkon ti rivendoset KEMP-i sepse është e paaftë për të punuar dhe nuk ka asnjë të ardhur për të blerë ilaçet.

Rozina Kalivaçi: Nuk lëviz dot as për nevojat e mia personale, jam e vetme. Vuaj nga epilepsia nervore. Babai më ka lënë 14 vjeçe, mamaja 35, më la beqare. Nuk arrit dot të më bëjë si shoqet dhe jam e vetme. 

Prej dy vitesh më kanë ndërprerë KEMP-in. E kam marrë për 20 vite. Ilaçet nuk i marr dot më. Dua vetëm KEMP-in të marr ilaçet, dorën dhe këmbën nuk e lëviz dot më, më janë mpirë.

Duke qenë se shëndeti i Rozinës u përkeqësua, motra e saj e cila jeton në Greqi, ka lënë familjen dhe ka ardhur për ti shërbyer motrës për disa javë.

Mes lotësh ajo kërkon që motrës ti rivendoset KEMP-i se është në gjendje shumë të rënde shëndetësore sepse pas vizitës që i është bërë në Greqi, mjekët i kanë thënë se duhet ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Motra e Rozinës: Kam 20 vjet që jetoj në Greqi, u ktheva për motrën që ishte rëndë. Nuk ka KEM-in për të marrë ilaçe në radhë të parë. Po nuk pati ilaçet motra, prej dy vitesh ja blejmë ne. Do i bëj hyzmet dhe ca ditë por do të iki se kam dhe shtëpinë time atje. 


Mesa kam pasur mundësi jam munduar. E kam vizituar në Greqi, mjekët i kanë thënë për dy operacione në kokë. Kjo nuk ka lekë të marrë ilaçet dhe jo më operacionet. Gjendja e saj është shumë e vështirë.

Ti pritet KEMP-i motrës për ilaçet që kurohet është krim, nuk është e drejtë kjo. Edhe ne nuk vimë dot, motra është rrugëve. Ti japin KEMP-in së pari, pastaj të na ndihmojnë për operacionin. Kushton 24 milionë. Mjekët në Greqi, me këtë diagnozë që ka motra ime, janë çuditur sesi ka rezistuar ky person pa ilaçe.



/Ora News.tv/