BOOM: Horrori i agjencive funerale që reklamojnë vdekjen

BOOM: Horrori i agjencive funerale që reklamojnë vdekjen

Agjencitë funerale private në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim më ligjin.

Emisioni “BOOM” ka denoncuar këtë herë shkeljen që i bëhet vendimit të Këshillit të Ministrave numër 711,datë 21.10.2014 “Për miratimin e rregullores për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e republikës së Shqipërisë”, i cili ndalon reklamimin e këtij biznesi.

Në nenin 39 të këtij vendimi shfaqet qartë detyrimi i qeverisjes vendore për përcaktimin e zonave të qytetit për qëndrimin e makinave funerale dhe zyrave të shërbimit, të cilat nuk duhet të jenë në godina banimi dhe në vende të dukshme për publikun.

“BOOM” publikoi pamjet përmes të cilave duket qartë se këto biznese janë vendosur në katet e para të pallateve, në rrugët më kryesore të Tiranës, madje makinat e funeralit jo pak herë kanë dhe një vend parkimi të rezervuar në to.

Gjithashtu një pikë tjetër e këtij vendimi përcakton se: “Agjencitë duhet të zhvillojnë aktivitetin, si: plotësimi i formaliteteve, shitja e artikujve të varrimit dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me funeralin, brenda ambienteve të miratuara dhe që janë jo të dukshëm nga jashtë.”

Por e kundërta ndodh. Arkivolet, kurorat, apo edhe aksesorë të tjerë që lidhen me këtë shërbim, qëndrojnë në vetrinat e xhamta të bizneseve, duke reklamuar kështu çdo ditë vdekjen.

Në këtë pikë ka vend shprehja e të madhit Dritëro Agolli: "Në këtë vend, një i çmendur, të gjithë i çmend".


EMISIONET