Emisioni "BOOM" në RTV Ora solli mbrëmjen e kësaj të marte shqetësimin e banorëve të një pallati tetë katësh në lagjen "15 tetori" në Vlorë.

Kur kanë blerë apartamentet u është thënë nga administratorët e pallatit se do të kishin në funksion edhe ashensorin por ky i fundt nuk ka funksionuar asnjë ditë të veme megjithëse ekziston vendi përkatës.

" U futëm në mirëbesim, nga 2012 që e kam blerë nuk po shoh ashensor. Banoj në kat të 6 dhe jam i sëmurë, jam me pompë".

"Jam kati i 7, pronari Albert Shyti thotë mblidhni nga 750 mijë lekë për ashensorin".

" Pallatin kur e kemi marrë ka qenë i dorëzuar në bashki".

"Ujë jo, ashensor jo, paratë i kemi dhënë. Administratori nuk mban përgjegjësi fare".


Fatjon Devollaj, drejtori i Urbanistikës në bashkinë e Vlorës thotë: I kolauduar ka qenë, nuk e merr dot certifikatën pa qenë i kolauduar. Funksionimi apo mosfunksionimi i ashensorit ëhstë tjetër gjë. Ndoshta nuk e hap vetë ai. Bashkia nuk e detyron dotë në marrëdhënie, çfarë ka bërë ai me kontratat.

Vetë investitori i pallatit, Albert Shyti, ka këtë qëndrim.

Shyti: Jam investitor i jashtëm, detyrimet i njoh. Sot presupozoj të jem banor i pallatit dhe ashensori do të më interesonte dhe mua të ishte në punë. Kur kolaudova pallatin ishte gjithçka në rregull.Kanë një detyrim që duhet ta likujdojnë, pas asaj unë si investitor i jashtëm dhe banor marr përsipër jo për një ditë por dhe për një orë të vendos kabinën e ashensorit dhe motorin. Deri në 2014 e kam mbajtur vetë në administrim, kam lënë një njeriun tim të afërt por nuk është administruar asgjë. U thashë vendosni vetë një administrator, listën e banorëve të pallatit, të shlyejnë detyrimet dhe emri im në atë listë, në momentin që mblidhen lekët bëhet ashensori.


Ai hedh poshtë pretendimet e banorëve se u kishte dhënë garancinë për funksionimin e ashensorit.

Shyti: E pavërtetë, asnjë nga banorët nuk ka pasur marrëdhënie të drejtëpërdrejtë me mua. E di detyrimin por nuk mund ti premtoj askujt. Po vendosa ashensorin ato detyrime nuk kam ku ti marr më. 52 banorë për 75 mijë lekë të reja del automatikisht shuma sa është detyrimi. Nëse nuk shlyejnë detyrimet ai ashensor nuk do të vendoset derisa të zgjidhet administratori atje. Objekti është kolauduar dhe ashensorin si aksesor e kisha në gjendje pune. Në momentin që nuk shlyen detyrimet ndaj shoqërisë sipërmarrëse që bënë ashensorin detyrimisht janë hequr këto dy pajisje, motori dhe kabina se duhen shlyer detyrimet. Në kontratën e porosisë, çdo porositës ka edhe detyrimin prej 75 mijë lekësh ndaj shoqërisë ndërtuese.E bëra për ta bërë dhe pastaj e hoqa, sesi do ti mblidhja lekët.

Për juristen, Drita Agaj, ky vendim i ndërtuesit është arbitrar.

Agaj: Për çdo mosplotësim kushti nga ana e banorëve ka gjykatë, nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare.



/Ora News.tv/