BOOM: Gruda e Re 6 vite pa ujë, të moshuarit me karrocë rrugëve në kërkim të ujit

Katër mijë banorë të Grudës së Re në Shkodër, prej 6 vitesh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Për emisionin BOOM ata thonë se paguajnë 15 mijë lekë për të siguruar ujin, por shumica prej tyre kanë hapur puse, sepse nuk e përballojnë dot këtë shpenzim.

"Unë për vete me karrocë e mbush, invalidë jam", tha një banore e fshatit.

"Një familje normale i do 15 çisterna, nga 10 mijë lekë, 150 mijë lekë është kostoja e një familje në muaj", tha një banor.

"Kemi hapur puset, por edhe ai nuk është uji i pijshëm. Nuk e ka çarë kokën askush për ne Që në 2013 ne ujë të pijshëm nuk kemi  pasur. Unë shkoj mbi dy orë që mbush ujë"


Edhe pse një fshat fare pranë qytetit të Shkodrës, banorët përballen me neglizhencën dhe indiferentizmin e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti.

BOOM shoqëroi një 84 -vjeçar, i cili me karrocë në dorë e bën rrugën për ditë për të siguruar ujë për familjen.

Edhe ambulanca e fshatit Grudë e Re është pa ujë të pijshëm.

"Që kur kam ardhur unë këtu ujë nuk ka. Jemi ankuar tek komuna dhe na kanë mbajtur me shpresa, por deri tani nuk na kanë zgjidhur asgjë", tha një punonjëse e ambulancës.

BOOM iu drejtua Ujësjellës Kanalizimeve në Shkodër, të cilët thanë se situata me ujin e pijshëm në fshatin Grudë e Re do të zgjidhet për 1 muaj.

EMISIONET