Emisioni investigativ "BOOM" solli mbrëmjen e sotme denoncimin e familjes Bajraktari në Tiranë. Marije Bajraktari thotë se ka porositur një shtëpi në zonën e Yzberishtit në 2013, që sipas kontratës së nënshkruar në 2014 duhet të merrte çelësat e apartamentit. Por sot e kësaj dite, kjo familje është pa shtëpi pasi firma nuk ka fonde dhe pallati ka mbetur karabina. Familja Bajraktari është e detyruar të jetojë me qira në Tirane, ndërkohë që administratorja e firmës as lekët nuk ia kthen dhe as shtëpi nuk i jep.

Denoncimi

Në vitin 2013  Marije Bajraktari  ka porositur një shtëpi në zonën e Yzberishtit  ku  ndërtonte pallate firma ‘Ormars 2000’. Pasi kanë rëne dakort për çmimin e objektit  zonja Bajraktari i ka paguar 80% të lekëve administratores së firmës Marigo Kushi.

Më pas të dyja palët kanë nënshkruar një  kontratë sipërmarrje  ku specifikohen  parametrat që do të ketë shtëpia në momentin e dorëzimit, njëkohësisht përcaktohet se objekti do të  perfundojë punimet  në shkurt 2014.

Blerësja  ka firmosur një kontratë ku citohej se do t’i dorëzoheshin çelësat e shtëpisë pas një viti, por edhe sot 5 vite më pas zonja Bajraktari nuk është futur ende në shtëpi sepse firma ‘Ormars 2000’ nuk po zhvillon asnjë punim.

Kjo firmë ka marrë leje ndërtimi për objektin 9 katësh me datë 05.02.2011 dhe punimet  duhet të përfundonin në datën 05.02.2014, por fatkeqësisht  punimet kanë filluar dhe objekti është  një karabina deri në katin e dytë dhe nuk dihet nëse do vazhdojnë  punimet, pasi firma nuk ka  fonde.

Në këto kushte, familja Bajraktari është e detyruar të jetojë me qira në Tirane, ndërkohë që administratorja e firmës  as lekët nuk ia kthen dhe as shtëpi nuk i jep.

Marije Bajraktari: Ky objekt në 2013 që kemi dhënë lekët ka qenë në këtë gjendje dhe është përsëri sot. Administratori i firmës ka qenë dhe është Marigo Kushe.Kontrata e lidhur me këtë firmë parashikonte që nga momenti që ne të dorëzonim lekët pallati duhet të përfundonte në fund të 2014, pas një viti duhet të hynim në shtëpinë tonë. Pallati nuk u ndërtua, se ku shkuan lekët tona ne nuk dimë. Kemi shkuar me dhjetra herë, administratorja rrallë na del nëpër takime sepse shmanget me justifikime. Përgjigje na japin përfaqësuesit që na cakton ajo, që jemi në negociata, jemi me ritme të ngadalëta por do të fillojmë të punojmë, lekët nuk ju humbasin, mos na prishni imazhin e firmës. Kryeministri thotë se do të bëjmë shtet ligjor, shtet me rregulla dhe ligje. Në këtë shtet me rregulla dhe ligje, këto firma private a kanë kontroll nga ky shtet?Ku do të shkojnë lekët tona?Është gjaku, mundi, djersa i gjithë jetës sonë. Në këtë objekt unë e kisha shtëpinë në katin e shtatë.

"BOOM" kontaktoi me administratorin e firmës së ndërtimit i i cili thotë se nuk kanë para për të vazhduar punimet e pallatit.

Administratori i firmës ‘Ormars 2000’

Administratori: Është e vërtetë, ne e kemi klienten tonë. Motivet ose arsyet për të cilat është penguar pallati kanë qenë se aktualisht të paktën prej dy vitesh janë bllokuar nga ana e shtetit.Meqenëse nuk vazhdojnë punimet dhe nuk na ofrohet kush për të blerë që të qarkullojë dhe lëvizë paraja.Kemi ngelur në vështirësi.U stopua puna.Për këtë objekt ne kemi përgatitur të gjithë dokumentacionin për çfarë hyrjesh kemi të lira.Kushdo që të afrohet për të marrë këtë objekt për ta ndërtuar ka pjesën e vet të lirë dhe të mundshme nga ana financiare që ai ta ndërtojë. Ne nuk kemi vetëm këtë objekt por kemi edhe 4 objekte në Tiranë.Të gjitha janë në proces, afërsisht kanë të njëjtin problem. I kemi kategorizuar edhe këtë që pyete ti, edhe do tu kthehen lekët këtyre. Po ja paguaj dhe nuk po ja paguaj qiranë. Në fund të fundit erdhi vetë klienti tek unë, nuk shkova unë ti them aman hajde.



/Ora News.tv/