Emisioni investigativ "BOOM" ka vijuar trajtimin e rastit të të riut nga Berati, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë me katër muaj burg, nën akuzën e mbajtjes së armëve të ftohta thika në banesë, teksa në shtëpi kishin dhe një dyqan mishi.

Në ngarkim të shtetasit Teki Hoxha, pritej pezullimi i ekzekutimit të formës së prerë, për të mos e çuar atë në burg pa u shqyrtuar kjo çështje edhe në Gjykatën e Lartë. Pikërisht këtu gazetarët e "BOOM" kanë nxjerrë në pah një tjetër problem të hallkës përmbyllëse të zinxhirit të ndryshkur të drejtësisë, mbrojtjes.

Pas një hetimi plot me mangësi nga ana e Prokurorisë së Beratit, gabimeve proceduariale të gjykatës së Beratit si dhe zhdukjes së regjistrimit audio të seancës përfundimtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, avokatja që ka ndjekur këtë rast kishte depozituar një kërkesë të pambështetur ligjërisht për pezullimin e dënimit të të riut në gjykatën e Beratit.

Avokati Idajet Beqiri, i cili është zgjedhur të përfaqësoj këtë rast në vazhdim, ka hequr dorë nga kërkesa e avokates vlonjate e për rrjedhojë gjykata ka pushuar gjykimin e kërkesës. 

Avokati: Pasi e  studiova këtë kërkesë që ka bërë avokatja e mëparshme dhe jua ka drejtuar juve, faktikisht shoh defekte serioze tek kjo. E vetmja rrugëzgjidhje është të heq dorë nga kjo kërkesë  dhe të bëj një kërkesë tjetër por me një objekt tjetër. Të kërkoj shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi për disa rrethana.


Gjyqtari: Gjykata çmon se i dënuari ose personi që ka bërë kërkesën e tërhoqi atë, atëherë nuk ka kërkesë për gjykim dhe prandaj do të pushoj gjykimin.

Por çështja nuk do të lihet me kaq.

Avokati Idajet Beqiri: Gjykimi u pushua dhe ne do të bëjmë një kërkesë tjetër, ku do të kërkojmë shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi. Janë 6 pika që parashikon neni 476 i kodit të procedurës penale kur mund të shtyhet ekzekutimi i një vendimi për një periudhë kohore deri në një vit. Gajtë kohës që do ti shtyhet ekzekutimi i vendimit për ato arsye të rënda që ai ka faktikisht ka invalidë në shtëpi, nuk ka asnjë të aftë që mund të mbajë familjen, ai vetë sa është martuar.Gjatë kësaj kohe do të bëhet një kërkesë për të shpejtuar sa është e mundur gjykimin në Gjykatën e Lartë ku është çuar rekursi dhe ku do të çohet një rekurs më i plotë. Këtë rrugë ligjore ka, nuk ka rrugë tjetër. Është një proces që është ndërtuar keq që në fillim dhe është shumë e vështirë kur vendimet marrin formën e prerë. Duhet kujdes tepër i madh i të gjithë atyre që përbëjnë procesin gjyqësor.

Vetë denoncuesi deklaroi për "BOOM" se këtë avokate e kishte njohur në Vlorë dhe se kundrejt pagesës prej 40 mijë lekë të reja, nuk e kishte pajisur me asnjë dokument dhe madje pas përfaqësimit në Gjykatën e Apelit Vlorë, ku gjyqin e kishin humbur, ajo nuk i kishte dhënë më asnjë ndihmë juridike për depozitimin e dokumentave, apo marrjen e shërbimeve pranë gjykatës në emër të klientit të saj, nën pretendimin se nuk kishte prokurë, të cilën në asnjë rast nuk e kishte kërkuar.

BOOM sjell prova të reja nga dosja Teki Hoxha, zhduket CD e regjistrimit të seancës gjyqësore

BOOM: Konflikti babë e bir fut në kolaps sistemin e drejtësisë, i riu rrezikon 4 muaj burg për thikat e të atit


/Ora News.tv/