Vlorë: Shpërthimi i makinës i telekomanduar, Agron Alushaj mbahej nën vëzhgim

Vlorë: Shpërthimi i makinës i telekomanduar, Agron Alushaj mbahej

Të paktën 12 persona u shoqëruan në lidhje me atentatin ndaj biznesmenit Agron Alushaj të premten e 23 nentorit në Vlorë, por policia ende nuk ka një autor të dyshuar.

Hetimet janë përqëndruar tek konfliktet për shkak të konkurencës në biznes, pasi 48 vjeçari është pronar i një guroreje në fshatin Drashovicë, ndërsa në qytet sapo kishte nisur ndërtimin e një pallati.

Por, grupi prej tre prokurorëve që ka marrë në dorë dosjen nuk përjashton as motive të tjera. Për këtë prokurorët tregohen shumë të rezervuar për shkak edhe të provave të pakta që kanë në dorë.

Shpërthimi i të premtes ka qenë i telekomanduar dhe mendohet se Agron Alushaj ishte nën vëzhgim nga personat që i bënë atentatin.

Por ekspertiza në vendngjarje duket se nuk ka siguruar prova të mjaftueshme, pasi shpërthimet me eksploviz fshijnë gjurmët, ndërsa edhe mjeti i është nënshtruar larjes.
 
Grupi hetimor pritet të ketë më shumë prova në dorë pas kqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë pranë lokalit, por edhe në zona të tjera ku Agron Alushaj ka qëndruar në 24 orët e fundit.

Marrja e dëshmisë së biznesmenit dhe familjarëve të tij ka qenë e pamundur.

Ndërsa nga dëshmitë e punonjësve të lavazhit dhe lokalit ku ndodhi ngjarja nuk ka detaje.

Makina e biznesmeni shpërtheu ndërsa po dilte nga lavazhi, rreth orës 16:35 të pasdites së të premtes, 23 nëntor 2018, në rrugën Transballkanike.

48 vjecari mbeti i dëmtuar rëndë në të dy këmbët dhe pas ndihmës së parë në Vlorë është sjellë në Tiranë për mjekim të specializuar.

Ai është vëllai i ish-drejtores së Hipotekës së Vlorës, Loreta Alushaj Tozaj, ndërsa rezulton se është person pa precedentë penalë.


EMISIONET