Ndërsa rrugët e qytetit më të madh të Veriut të Shqipërisë janë blinduar nga forcat speciale, RENEA e FNSh nga Tirana, në shtëpinë e misionareve të Nënë Tereza, paraditen e sotme u mbajt mesha me rastin e 2 vjetorit të shenjtërimit të Nene Terezës. 

Nga këtu kleriku i Shkodrës, ish famulltari i këtij qyteti, dom Artur Jaku deshi ti përcillte një mesazh, këtë herë jo qeverisë, por atyre që shkrehin armën për të kryer krime.

dom Artur Jaku:  "Sot nuk kam apel për qeverinë sepse ajo e ka ditën kur do të gjykohet, ditën e votimeve, por sot kam për ata që vrasin. Për hatër të Zotit mos me vrasje, mos me dhunë. Mos të harrojmë se ne mundemi ti shpëtojmë policisë, gjykatave e shtetit por nuk mund t'i shpëtojmë Zotit. Nëse ne vrasim nuk mund t'i fshihemi Zotit. Nuk mund t'i ikim gjykimit të tij që sheh e vlerëson gjithçka. Ju bëj thirrje, kthehuni nga Zoti sa nuk është vonë"

Për  ta konkretizuar apelin e tij në këtë ditë, Jaku përmendi misionaren e  shenjtë Shqiptare, Nënë Terezës dhe jetën që ajo zgjodhi të bëjë, në  shërbim të varfërve. Gjithashtu ai tha se vendi është  në varfëri se ne nuk jemi të aftë për të reaguar

"Sot edhe në vendin tonë, edhe në Shkodrën ku jetojmë jeta nuk vlen as dy lekë. Për hatër të Zotit mjaft me vrasje. Për hatër të Zotit mjaft me terror, dhunë e korrupsion. Sepse vendi jonë dhe Shkodra gjendet e varfër është dhe për arsye se ne nuk jemi të aftë për të reaguar"

Kremtimi  i meshës së shenjtë u bë në praninë e misionareve të Nënë Terezës që  prej 25 vitesh shërbejnë në Shkoder, si dhe të të sëmurëve që ato mbajnë  në qendrën  e tyre.


/Ora News.tv/