Bluza “Autocthonus” në shkollën e Kretës, interpelancë në parlamentin grek

Bluza “Autocthonus” në shkollën e Kretës,

Incidentet që kanë shoqëruar përpjekjet për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë në ishullin e Kretës, kanë mbërritur deri në parlamentin grek.

Duke marrë shkas nga publikimi i një fotografie, ku një prej fëmijve kishte veshur një bluzë me stemën tashmë të famshme të “Autocthonus”, deputeti i Demokracisë së re të opozitës, Theodoros Karaoglu, ka kërkuar interpelancë me ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias. Duke argumentuar kërkesën e vet, deputeti opozitar, komenton faktin e pranisë në fotografi të zëvendësambasadorit shqiptar Florian Nova.

“Mundet që një fëmijë i mitur që mos e ketë idenë se çfarë shpreh bluza që ka veshur. Mirëpo është e papranueshme që zëvendësambasadori i Shqipërisë në Greqi të paraqitet duke përqafuar të miturin e duke dërguar mesazhe irredentizmi kundër vendit që priti qindra mijëra bashkatdhetarë të tij”, nënvizon deputeti i demokracisë së Re.

Në përgjigjen e nënshkruar nga shefi i diplomacisë greke, vihet në dukje qysh në fillim se ministria e Jashtme nuk gjykon se nevojiten deklarata publike për këtë çështje.

“Për një vend demokratik si Greqia nuk gjykohet mënyrë e përshtatshme reagimi demaskimi publik i një të mituri, apo riprodhimi i lajmeve për kultivimin e një klime negative tensioni”.

Ministria e Jashtme dënon sa manifestimet ksenofobe dhe raciste, aq edhe ato të nacionalizmit ekstrem dhe pikëpamjeve irredentiste”, vazhdon letra e ministrit të jashtëm, ku theksohet se rasti i shënuar në Kretë “ishte një incident i veçuar”.

Sa i përket pranisë së diplomatit shqiptar në atë veprimtari, ministria e jashtme e Greqisë mban parasysh faktin se nuk është shënuar deri më sot një rast tjetër i ngjashëm nga ana e diplomatëve shqiptarë të akredituar në vendin tonë”.

“Shënojmë gjithashtu se ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko, gjatë takimit në Athinë me ministrin e brendshëm grek, dha shpjegime për incidentin në Kretë, duke sqaruar se ishte një rast i veçuar që nuk duhet të hedhë hije mbi marrëdhëniet shumë të mira Greqi-Shqipëri”.

I bëmë të qartë palës shqiptare edhe nëpërmjet ambasadës në Athinë se synojmë të mos bëhemi sërish dëshmitarë incidentesh të ngjashme në të ardhmen”, përfundon letra e nënshkruar nga ministri i jashtëm grek.

EMISIONET