Policia shqiptare ka ndaluar 12 grekë si organizatorë të bllokimit të trafikut për më shumë se 10 minuta në aksin Gjirokastër-Kakavijë.

Mes të shoqëruarve janë ekstremisti i njohur, i cili është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, Babis-Harallambos Karathano, Dhimitër  Kostandinos, Athanai Papas, Andrea Kurti, Anestis Panajotis, Kostandinos Gizolis, Jorgos Varelas  dhe ish-kreu i komunës Dropull Kristo Duçi.

Policia e Shtetit në një deklaratë për shtyp në lidhje me masat e marra për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore, thotë:

"Në Pikën Kufitare Kakavijë, policia ka kryer kontrolle të imtësishme të personave të cilët vinin nga Greqia. Është ndaluar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, pasi kishte të dhëna që ata mund të krijonin incidente. Janë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqëruar po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale nga Prokuroria.Mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke ka pasur një bashkëpunim të mirë për ndalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste".

Për tu interesuar për të arrestuarit, në komisariatin e Gjirokastrës ka shkuar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

(Në foto: Automjeti i Vangjel Dules në komisariat)

Gjithçka ndodhi pas ceremonisë së varrimit, ku rreth 500 shtetas grekë, mes tyre shumë ekstremistë, lanë fshatin Bularat për tu kthyer në Greqi.  

Ata bllokuan aksin rrugor duke protestuar me të njëjtat thirrje të lëshuara edhe gjatë ceremonisë mortore.

Vetë banorët thonë se bllokimi i rrugës ishte planifikuar duke bërë thirrje për drejtësi për shtetin shqiptar.

Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është zhbllokuar me ndërhyrjen e forcave të rendit.


(Në foto: Karathanos (me rreth të kuq), ekstremisti i arrestuar)



/Ora News.tv/