Forca të shumta të RENEA-s dhe autoblindët kanë nisur një operacion kontrolli në zonat më problematike të Shkodrës. 6 ngjarjet e fundit kriminale, por dhe rreth 16 vrasje të tjera pa autor kanë bërë që policia të nisë kërkimin e personave në kërkim apo dhe kontrollin e individëve me precedent penale. Në komisariat brenda pak orësh u shoqëruan rreth 20 vetë.

Prej mbrëmjes së të martës Shkodra është në shtetrrethim! Forca të shumta të policisë, reparti Renea, Shqiponjat dhe Ndërhyrja e Shpejtë kanë zbarkuar me urdhër të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, me kontrolle intensive në lagjet ku dyshohet se qëndrojnë persona me precedent penal ose në kërkim. Deri pas mesditës së mërkurë policia e shtetit konfirmoi për Ora News, bllokimin e 4 automjeteve të blinduara.

Ndërkohë forcat e policisë po krehin zonën e Livadheve, Dobraçin dhe Kirasin, zona që cilësohen problematike në lidhje me rendin publik.

20 të shoqëruar

Gjashtë vrasjet pa autor dhe 2 personat e rrëmbyer një javë më parë, janë bilanci i këtyre ditëve në Shkodër, për të cilat policia është vënë në lëvizje, ku burimet saktësojnë se janë shoqëruar në komisariat mbi 20 persona në këto orë ndërsa shoqërimi i personave të dyshuar po vazhdon.

Të gjithë personat e dyshuar dhe ata me precedentë penalë po merren në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me Krimet e Rënda. Krehja që po ju bëhet zonave në fjalë, është shoqëruar nga autoblindat e policisë dhe snajpera të vendosur në pika të larta, që mbajnë nën kontroll të gjithë territorin.

Detajet e operacionit po mbahen të fshehta

Gjithashtu forcat policore kanë hyrë edhe në disa banesa, por pa dhënë më shumë detaje nëse kanë arritur të gjejnë armë, apo sende të tjera të ndaluara.

Detajet e operacionit po mbahen të fshehta dhe pritet që në përmbyllje të dilet me një deklaratë për shtyp nga ana e strukturave që udhëhoqen këto grupe në terren.

Në operacion edhe drejtori i policisë, Ardi Veliu

Mësohet se mbrëmjen e së martes kur nisi aksioni blic, ishte në kryeqendrën e veriut vetë drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu. Zhurma politike dhe akuzat e opozitës duke se nxiten policinë e shtetit të vihej në lëvizje, pasi një operacion i këtyre përmasave kishte vite që nuk shihej në këtë qytet, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura.

Në 10 vitet e fundit Shkodra numëron mbi 20 vrasje të bujshme që ende nuk janë zbuluar dhe dosjet e tyre kanë përfunduar në arkivat e policisë dhe organeve të tjera të drejtësisë, duke i zënë pluhuri i kohës.

(Në foto: Makinat e blinduara të sekuestruara nga policia)

(Në foto: Makinat e blinduara të sekuestruara nga policia)

(Në foto: Makinat e blinduara të sekuestruara nga policia)

(Në foto: Forcat e policisë rrethojnë zonat e rrezikshme të Shkodrës)


/Ora News.tv/