13 mijë biznese janë mbyllur në shtatë muaj. Shkak për vendimin sipas shoqatës së biznesit është kosto e shtuar nga përfshirja në skemën e TVSH. Sipas Shoqatës, ky veprim është shoqëruar dhe me rritjen e nivelit e korrupsionit dhe burokracive.

Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH ka shkaktuar mbylljen e 13 mijë biznesve të vogla.

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, argumenton se kjo situatë ka ardhur si rezultat i rritjes së kostove.

Në krahasim me vitin e shkuar, janë 2500 subjekte më shumë që kanë ndërprerë aktivitetin.

Nasto: Nga janari deri me 30 korrik janë mbyllur 13 mijë biznese, 2500 biznese më shumë se e njëjta periudhë e 2017. Kemi paralajmëruar me zë të lartë se do të rrisë koston e pagesave nga biznesi dhe kjo ndodhi. 90% e biznesit marrin ekonomistë kontabël për mbylljen e TVSH-së me çmim nga 80 mijë lekë të vjetra deri në 300 mijë lekë të vjetra në muaj çdo biznes.

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël thotë ndër të tjera se ulja e pragut të xhiros me qëllim përfshirjen e subjektit në TVSH ka rritur burokracitë dhe korrupsionin.

Nasto: Kemi paralajmëruar se futja e kësaj skeme nuk do të minimizojë evazionin fiskal, kjo ndodhi dhe po ndodh. Evazioni fiskal u rrit me 40% në krahasim me 2017.

Nasto ka akuzuar se skema e re e TVSH-së shkon në favor të bizneseve të caktuara.



/Ora News.tv/