Biznesi i shekullit

Biznesi i shekullit

Për publikun e futbollit italian nis sot java e Cristano Ronaldos. 7 ditë për të mbyllur kontratën e konsideruar si biznesi futbollistik i shekullit.

Janë orë me një adrenalinë të fortë emocionuese për klubin e Juventusit e drejtuesit e saj që gjatë orëve të ardhshme presin të reja të mëdha.

CR7 konsiderohet jo vetëm një futbollist fuori classe, por dhe një makinë biznesi me fitime si të një kompanie multinacionale me mbi 20 sponsor të mëdhenj, me vlerë mbi 1 miliard dollarë e me një pasuri që kapërcen 280 milionët.

Ende pa u mbyllur kontrata me Juventusin, CR7 ka bërë që vlera në bursë e klubit bardhë e zi të rritet me gati 30%.

Juventusi është gati të paguajë 30 milionë euro për çdo sezon sportiv e 100-120 milionë euro për kalimin e CR7 nga Reali i Madrit në klubin zebrato.

Dita e shumëpritur është e marta kur do të zhvillohet mbledhja e drejtuesve të Realit të Madridit me zyrtarizimin e vendimit të marrë ndaj dhënies ok ose jo të kalimit të futbollistit të tyre tek skuadra e Juventusit.

Objektvi kryesor i klubit italian bardhë e zi me CR7 në Torino është fitorja e kupës së tretë të Champions League. Skuadra e Juventusit e ka fituar 2 herë këtë titull ndërsa Cristiano Ronaldo 5 herë, një herë me Manchester United e herë e tjera me Real Madrid që gjatë 3 viteve të fundit konfirmohet kampion absolut i kësaj gare.

Ndërkohë zërat mediatikë konfirmojnë çdo orë e më shumë se transferimi i Ronaldos në Torino është drejt mbylljes. Flitet se CR7 ka zhvilluar një bisedë telefonike me trajnerin e Juventusit Massimilano Allegri e se menaxheri i tij Jorge Mendes sot udhëton drejt Madritit për takimin final me drejtuesit e Real Madridit.

E pra java italiane e Cristiano Ronaldos sapo ka nisur dhe emocionet e sportëdashësve italianë kapërcejnë ngjyrat e tifozerive në pritje të një kampioni të madh.




EMISIONET