Pavarësisht premtimit të Ministrisë se rimbursimi i TVSH-së do të zerohet brenda muajit korrik, Konfindustria deklaron se kjo është vetëm për fasonët. Gjergj Buxhuku shprehet se vonesat në rimbursim që shkojnë në mbi dy vite, tregojnë situatën e vështirë ekonomike të vendit. Buxhuku shprehet se kjo situatë ka nxitur korrupsionin midis agjencive.

Biznesi vendas vijon të ngrejë shqetësimin për vonesat në rimbursimin e TVSH-së.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, shpjegon se premtimet e qeverisë për zerimin e TVSH-së së prapambetur deri në korrik është e vlefshme vetëm për aktivitetet fasone dhe jo për sektorët e tjerë.

Gjergj Buxhuku: Përveç menaxhimit, kemi probleme të mëdha strukturore të ekonomisë që është e paaftë të krijojë të ardhura për të shlyer detyrimet që ti i ke sepse janë para të cilat bizneset i kanë paguar. Këto u rikthehen në kosto bizneseve dhe fakt është që bizneset çuditërisht  nuk kërkojnë dhe fitimin e munguar dhe përqindjet e gjobave dhe penaliteteve që sikurse i vë administrata Tatimore kur vonojnë bizneset për të paguar, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për bizneset ndaj administratës shtetërore.

Konfindustria shpreh shqetësimin për dëmin e ndjeshëm financiar shkaktuar bizneseve si dhe dyshimet për shfaqjet e korrupsionit te agjencive ekzekutive.

Gjergj Buxhuku: Vonesat e kthimit të TVSH-së krijojnë një fushë shumë të mirë për spekulime, përzgjedhje në mënyrë selektive dhe natyrisht mbështetur në korrupsion. Diskutohet dhe kjo është një praktikë që përflitet shumë që janë kërkuar deri në 20% të vlerës së TVSH-së.

Ekzekutivi i detyrohet kategorive të biznesit të paktën 120 milion euro TVSH të prapambetur gjatë 2018.

Konfindustria thekson se problem mbetet edhe shkalla e ulët e besueshmërisë së të dhënave zyrtare për detyrimet ndaj bizneseve, përfshi edhe masën e TVSH-së së prapambetur.






/Ora News.tv/