Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një biznes fason në Durrës.

Përfaqësuesi i këtij biznesi i tha kreut të qeverisë se në tre vitet e fundit biznesi i tij ka njohur zhvillim, ndërsa Rama e garantoi se mbështetja e qeverisë për fasonerinë do do të vazhdojë.

Sipërmarrësi: Rrogat janë variabël. Unë po të them vetëm në 3 vitet e fundit ka një rritje të lartë. Po të them vetëm punëtorë  fillestarë, nga 1 deri në 3 muaj fillojnë me 240 mijë, para që marrin në dorë. Më herët, punëtorët fillestarë e kanë pasur pagën 190 mijë, ndërsa punëtorët e mesëm varionin nga 280-300 mijë në dorë. Kurse punëtorët, këto që janë më të besuarit, përgjegjësit e reparteve etj, variojnë nga 550 mijë deri në 650 mijë. Kurse, pastaj tek shkallët më të larta shkojnë mbi 1 milionë.

Rama: Ky është kalimi në një nivel tjetër i gjithë sistemit, pasi fasoni klasik ishte material porositës, merre dhe vetëm qep. Tani kalimi në ciklin e mbyllur është hapi që kemi dëshiruar ne të ndodhi dhe tani hapi tjetër i treti është që të fillojnë modelet këtu. Të fillojë të kalohen në “Made in Albania” me shumë më tepër produkte. Se ka disa që kanë filluar, sidomos tek këpucët por kjo do tani një angazhim të një lloji tjetër, sepse kjo do rrisë shumë dhe të ardhurat, do rrisë shumë dhe rrogat.

Por më herët kryetari demokrat, Lulzim Basha, kishte publikuar një video ku evidentonte se me Edi Ramën në qeveri, krimi dhe oligarkët po pasurohen kurse biznesi i zakonshëm po falimenton.

Sipas PD, vetëm në shtator janë mbyllur 1978 biznese nga 838 që u mbyllën një vit më parë.




/Ora News.tv/