Qeveria shqiptare ka nisur procedurat për ligjërimin e përdorimit të monedhave virtuale. Vetëm pak ditë më parë kreu i qeverisë konfirmoi nismën, e cila tashmë është zbatuar në një sërë shtetesh. Ekspertët ndërkohë pranojnë se edhe Shqipëria është bërë pjesë tregu të kriptovalutave, pasi shumë persona apo biznese janë përfshirë në këtë treg financiar. Ardian Civici shprehet se është e domosdoshme krijimi i sistemit të monitorimit, ndërsa rendit dhe rreziqet.

“Jemi duke eksploruar mundësinë e krijimit të një kuadri ligjor për kriptovalutën që është një risi shokuese dhe është një pikë atraktive për tregjet financiar. Jemi në proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator dhe nëse rezultat do të jenë të kënaqshme ne do promovojmë pritjen e investitorëve që duan të përfshihen në këtë inovacion gjigant“ .

Në këtë mënyrë duket se kryeministri, Edi Rama, ka paralajmëruar nisjen e përgatitjes së kuadrit ligjor për përdorimin e monedhës virtuale.

Megjithëse nisma shihet me interes deri më tani Banka e Shqipërisë vetëm ka paralajmëruar vetëm për rreziqet që vijnë prej tyre.

Por a njihet përdorimi i kriptovalutave në vend?

Ardian Civici shprehet se ka shumë qytetarë apo biznese që kanë nisur të përdorin bitcoinin.

Ardian Civici: Përderisa po zgjerohet dhe po bëhet pjesë e aktivitet të biznesit, pagesave dhe aktivitetit ekonomik në përgjithësi, natyrisht që nuk mund të neglizhohet më dhe të rrihet vetëm në stadin e frikës së këtij sistemit. Duhet të mendohet dhe për një sistem mbikqyrje në vijim të asaj që po bëjnë dhe bankat e tjera qëndrore apo dhe bankat e tjera të mëdha në botë për ta pasur këtë sistem nën kontroll, për ta bërë më transparent.

Ndër të tjera Civici pranon se përdorimi i kriptovalutave mbart edhe një sërë rreziqesh.

Ardian Civici: Kthimi i tyre në skema piramidale, i luhatjeve shumë të mëdha apo një periudhe të shkurtër apo përdorimi i bitcoin për pastrim parash për transferta ilegale, për gjëra terroriste, për thyrjen e embargos për shumë vende të tjera natyrisht që  ekziston paralelisht.

Janë një sërë monedhash virtuale që këmbehen në tregun online. Por ajo çfarë ka gjetur terrenin më të gjerë është bitcoini.

Ekspertët ndërkombëtarë jo pak herë kanë shprehur kritika për përdorimin e këtyre monedhave në tregun e zi.

/Ora News.tv/