"Big Brother" vëzhgon 24 orë kriminelët e burgosur, do ajrosen vetëm 1 orë në ditë
Reduktim të takimeve familjare, shmangie të kontakteve me organizatën kriminale apo edhe me kundërshtarët.Këto janë masat e reja për të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë, përcaktuar në projektligjin e ri të qeverisë për të rritur sigurinë në këto institucione të vuajtjes së dënimit.
Të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë do t’u nënshtrohen masave më të ashpra gjatë vuajtjes së dënimit.
Sipas projektligjit të dorëzuar nga qeveria në Kuvend, regjimi i posaçëm që do tu përcaktohet këtyre të dënuarve që kanë kryer vepra penale në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste apo për vepra me qëllime terroriste do të kufizojë akoma më shumë kontaktet me familjarët.
Po ashtu kufizime të forta do të ketë për të parandaluar kontaktet me organizatën kriminale ku ata bëjnë pjesë apo me organizata të tjera, me të cilat ata bashkëpunojnë.
Me këtë regjim të posaçëm do të shmangen kontaktet edhe me elementë të organizatave kundërshtare për të parandaluar konfliktet e mundëshme mes tyre.
Do të lejohet vetëm një takim me familjarët në muaj dhe këtu përfshihen vetëm prindërit, fëmijët dhe bashkëshortët apo bashkëjetuesit.
Takimet do të bëhen në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video.
Një i burgosur që nuk kryen takime familjare do të ketë të drejtën të bëjë një telefonatë vetëm 10 minuta në muaj. Këtyre të burgosurve u ndalohet përdorimi i vlerave monetare.
Projektligji i qeverisë parashikon edhe reduktim të qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, jo më pak se 1 orë në ditë.
Vetëm pas një viti, i dënuari apo i paraburgosuri që preket nga ky ligj mund të kërkojë nga Ministri i Drejtësisë të rivlerësojë nëse janë kushtet për vazhdimin e regjimit të posaçëm apo jo.
Por për këtë Ministrisë i duhet të vlerësojë profilin e të burgosurit, nëse ai ka vijuar të mbajë kontaktet me organizatën kriminale apo terroriste, nëse ka akuza të reja të pavlerësuar më parë, pavarësisht periudhës një vjeçare që ai ka kaluar nën këtë regjim.


