Biberaj: Serbia ta njohë kur të dojë Kosovën, nuk negociohen territore me armikun historik

Biberaj: Serbia ta njohë kur të dojë Kosovën, nuk negociohen

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, deklaron se kufijtë e Kosovës janë të sanksionuar dhe nuk mund të bëhet asnjë ndryshim i tyre.

Biberaj: Kufijtë e Kosovës janë të sanksionuar dhe pavarësia është shpallur bazuar në këto kufij. Edhe rezoluta e Kombeve të Bashkuara 1244 i njeh këto kufij. Çdo debat i shërben vetëm çështjes serbe. Është diskutuar Lugina e Preshevës. Kush është ai shqiptar që nuk e dëshiron Luginën e Preshevës. Ne e dimë që trojet shqiptare kanë qenë deri në Nish, Sanxhak. Nëse do të na i jepte Serbia ne do të ishim të gatshëm për ti marrë por nuk mund të diskutohet që ne të bëjmë shkëmbim territoresh dhe të rishikohet harta e Kosovës. Kosova është unike.

Teksa Presidenti i Kosovës e lidh korrigjimin e kufijve me njohjen e Kosovës nga Serbia, Biberaj në RTV Ora thotë se Kosova nuk ka asnjë ngut në këtë drejtim dhe Beogradi ta njohë kur të dojë.

Ai thotë se kushtin për njohjen reciproke Serbisë ja përcaktojnë ndërkombëtarët, ndërsa Kosova gjithçka mund të negociojë janë çështje të karakterit tregtar, njohjes së diplomave por jo territore.

Serbia ka qenë dhe vazhdon të mbetet armike historike e popullit shqiptar, thotë ai.

Biberaj: Po të ishte për Serbinë dhe serbët Kosova asnjëherë nuk do të ishte e pavarur. Kosova është shpallur e pavarur pas ndërhyrjes së SHBA dhe vendeve të NATO-s pas genocidit dhe represionit serb të drejtuar nga Millosheviçi në Kosovë. Kam eksperiencën time në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, e kam drejtuar atë Asamble në kohën që diskutohet çështja e pavarësisë së Kosovës dhe këto debate janë bërë me të gjithë politikanët serb që fatkeqësisht kanë të njëjtin qëndrim si Millosheviçi. Nuk nuk mund të presim dhe as kemi nevojë të presim ndonjë miratim për pavarësinë e Kosovës për zhvillimet në fushën e lirisë, demokracisë, fushën e të drejtave të njeriut.Nuk kemi pse të presim Serbinë për të ecur përpara. Serbia ta njohë kur të dojë Kosovën, nuk është se mosnjohja nga Serbia përbën ndonjë pengesë shumë të madhe për integrimin e Kosovës në struktura euroatlantike. Serbia ka lobuar dhe lobon kundër Kosovës. 

Fatkeqësisht  ka edhe mbështetjen e Rusisë dhe një qëndrim abstenues ose negativ të disa vendeve të tjera por rëndësi ka që Kosova është njohur nga SHBA, nga Britania e Madhe, vendet kryesore të BE dhe nga 100 vende në nivel global. Kosova duhet të ecë në rrugën e reformave për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. Kushtet Serbisë për njohjen e Kosovës ja vendos politika ndërkombëtare, BE, sepse Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE pa njohur Kosovën.Natyrisht që ka vend për negociata për probleme të ndryshme të karakterit tregtar, njohjes reciproke të diplomave, ka hapësirë për negociata por jo për territore. Nuk mund të negociosh me serbët për territore. I kemi pasur dhe i kemi armiq historik.Negociohet dhe me armikun por armiku nuk mund të bëhet mik. Ata që kanë punuar me serbët, kosovarët e dinë më mirë se ne, sesa negativë kanë qenë dhe mbeten në raport me shqiptarët.

Po të hapni median dhe të shikoni qëndrimet e Milosheviçit 30 vjet përpara dhe ti krahasoni me ato të Vuçiç sot, janë të njëjta, nuk kanë ndryshuar.Le të mos ndryshojnë por ne nuk mund të lidhim zhvillimet në Kosovë ose rajon me qëndrimet e  Serbisë. Serbia sot e kësaj dite nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, përfshi masakrën e Serbrenicës, përfshirë vrasjen  e mbi 10 mijë shqiptarëve të Kosovës, mijëra qytetarë të Kosovës akoma sot nuk kanë një varr, janë të zhdukur. Ata vazhdojnë të kenë një qëndrim komplet negativ dhe të negociosh çështjen e kufijve, ose Shqipëria të vazhdoijë të copëtohet nën frymën e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, Kongresit të Berlinit të para 100 viteve, unë mendoj që është një shërbim që me dashje apo pa dashje, në mënyrë rastësore apo për qëllime të ndryshme politike i shërben vetëm Serbisë. Negociohen çështje që janë të negociueshme, çështja e territoreve është e pa negociueshme. Ne edhe si jemi sot, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria, jemi të cunguar.

Biberaj e sheh kritik qëndrimin e Ramës dhe Thaçit në këtë proces.

Biberaj: Vetë lidershipi i Kosovës duhet të ishte shumë më i përgjegjshëm ndaj interesave kombëtare gjë që nuk ka ndodhur në të gjitha rastet. Së dyti, përfshirja e Shqipërisë ka qenë dhe duhet të jetë gjithmonë vetëm në sensin pozitiv. Ne nuk jemi faktorë vendimarrës për zhvillimet në Kosovë as për dialogun që Kosova zhvillon me Serbinë. Shqipëria  ka pasur dhe e ka prioritet në politikën e jashtme, gjatë 28 viteve ka qenë unison pavarësisht nëse qeveria ka qenë e djathtë apo e majtë, ka ndjekur një politikë që i shërben interesave kombëtare. 

Problemi ka lindur në momentin që është diskutuar një marrëvehsje me Serbinë duke pasur parasysh ndarjen territoriale ose shkëmbimin e kufijve. Kjo është një tezë e mirëfilltë serbe që synon të marrë çfarë të mundet. Asnjë shqiptar nuk mund të pajtohet me këtë tezë. Ka pasur një qëndrim që ka pasur luhatje, të kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Kosovës. Fatkeqësisht gjërat nuk kanë qenë transparente. Por ky është një qëndrim kundër çështjes kombëtare dhe interesit kombëtar.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së përshëndeti rezistencën e Haradinaj për taksën.

Biberaj: Përfitoj nga rasti të përshëndes kryeministrin e Kosovës për qëndrimin dinjitoz që ka mbajtur, është edhe ndër luftëtarët që ka bërë luftë reale në drejtimin e UÇK-së, ka dëshmorë edhe në familje, dhe sidomos për qëndrimin ndaj taksës. Kosova nuk ka mekanizëm tjetër për të përdorur në raport me Serbinë përveç taksës. Është parim reciproriteti i gjithë historisë diplomatikë. Çdo presion që mund të bëhet është negativ.

Në fund, edhe një këshillë për diplomacinë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri.

Biberaj: Duhet ti ikim kompleksit të të qenit inferior në biseda me grekët, serbët ose kombet e tjera.

 


EMISIONET