Beteja me zjarret në Greqi, evakuohen banorët e katër fshatrave

Beteja me zjarret në Greqi, evakuohen banorët e katër fshatrave

Zjarret në ishullin grek të Evias vijojnë të sfidojnë forcat zjarrfikëse të vendit, të cilat ende nuk kanë arritur t'i kontrollojnë. Për të ndalur përhapjen e tyre, autoritetet po ngrenë një barrikadë artificiale dheu jashtë qytetit të Psanës. Banorët e katër fshatrave janë evakuar dhe fatmirësisht nuk janë raportuar humbje jete.

Forcat zjarrfikëse të Greqisë vijojnë betejën me zjarret masive në ishullin grek të Evias.

Në ishull është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe janë evakuar banorët e katër fshatrave periferikë, mes tyre Plataniasi, Stavros, Kontodespoti dhe Makrimali.

Ndërkohë në operacion janë mobilizuar mbi 220 zjarrfikës, gjashtë helikopterë dhe 75 autozjarrfikëse.

Sipas dëshmive, muri i flakëve në zonat më të prekura arriti të martën gjatësinë 11 kilometra, i nxitur edhe nga era e fortë.

Retë e smogut në ishullin e dytë më të madh të vendit u shpërndanë në një distancë rreth 110 kilometra në perëndim, duke arritur deri në Athinë.

Autoritetet tanimë po krijojnë një barrierë jashtë qytetit të Psanës për të ndalur avancën më tej të zjarrit që po kalon në një pyll me pisha brenda ishullit.

Kryeministri grek Qirjakos Micotaqis deklaroi në mbrëmje se situata mbetet tejet e vështirë dhe objektivi primar i forcave zjarrfikëse mbetet shpëtimi i njerëzve.

Ai falënderoi Kroacinë dhe Italinë që po ndihmojnë nga ajri për shuarjen e flakëve në vend.

Edhe Bashkimi Europian ka ndërhyrë duke aktivizuar mekanizmin e emergjencës për fatkeqësitë natyrore.

Greqia edhe në sezonet e mëparshme verore është përballur me situata të ngjashme.

Zjarri me bilancin më tragjik mbetet ai i korrikut 2018, kur në qytetin bregdetar të Matit, afër Athinës, humbën jetën brenda pak orësh mbi 100 persona.


EMISIONET