Bernard Challandes: Danimarka test i mirë, fokusohemi te Bullgaria

Bernard Challandes: Danimarka test i mirë, fokusohemi te Bullgaria

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, doli në konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore me Danimarkën. Një ndeshje të  cilën zviceriani e konsideron si testin ideal për të kuptuar më mirë gjendjen ku ndodhet ekipi para fazës eliminatore të Euro2020.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe me skuadrën pas katër muajsh. Do të fillojmë cikël të ri. Për mua është një sfidë mjaft e vështirë, pasi kemi ndërruar ligë. Kemi patur sukses në Ligën e Kombeve dhe në miqësore, por tani luajmë ndaj ekipeve nga Liga A dhe B dhe kjo është një tjetër garë, një tjetër jetë për skuadrën tonë. Për mua është një fazë interesante, por tani fillojmë nga zero”.

Objektivi ndaj Danimarkës? Fokusi do të jetë te ndeshja ndaj Bullgarisë. Mund të jetë një test i mirë për ekipin tonë, pra është më shumë se miqësore. Ishte nder për ne që morëm ftesë nga Danimarka. Për ne është shumë e mirë të luajmë ndaj një skuadre të tillë në Prishtinë. Kishim mundësi të udhëtonim dhe të luanim ndaj Gjermanisë dhe Argjentinës, por e rëndësishme ishte të luanim në vendin tonë. Fituam 4-0 ndaj Azerbajxhanit, por tani është histori tjetër. Por, tani kam tre qëllime: Së pari të testojmë dobësitë tona në mbrojtje, pasi luajmë ndaj një skuadre sulmuese me lojtarë si Erikseni, Polseni e të tjerë. Qëllimi i dytë është të shikojmë sa mund të mbajmë topin dhe të provojmë të krijojmë raste. E treta është të shënojmë gol, duke ditur se Danimarka ka një mbrojtje të fortë”.

Nivel tjetër? Kam besim te skuadra, ka shumë progres. Është më rëndësi të shikojmë efikasitetin e sulmuesve, gjithmonë kemi pasur shumë raste, por kemi shënuar pak gola. Tani ka ardhur koha të kalojmë në një nivel tjetër.

Danimarka zgjedhja e duhur? Ne mund të zëvendësojmë gjashtë lojtarë. Kemi lojtarë që nuk kanë luajtur shumë deri më tani, mund të bëj një përzierje. Mund të lodhemi? Kemi kohë të rikuperohemi. Ne kemi vendosur të luajmë të enjten, pra një ditë para Bullgarisë dhe duhet të mësohemi të luajmë me një temperament të tillë”.

Gjendja e Valon Berishës:? Ai është i lënduar dhe skuadra nuk e ka lejuar t’i bashkohej Kosovës, por ne kemi të tjera mundësi. Kemi Celinën, që ka luajtur shumë mirë me Sëansea-n, ka dhe mundësi tjera. Jemi në pritje të testeve për Hekuran Kryeziun, besojmë se do të jetë gati për ndeshjen e dytë”.

Prurjet e reja? Kam punuar shumë rreth kësaj, kam pasur kontakte me disa lojtarë për të ardhmen. Është e kuptueshme se atyre iu duhet kohë që të vendosin, por ne flasim çdo ditë për gjëra të tilla, si me Florent Hadergjonajn e të tjerë. Por, ju (mediet) shkruani më shumë se ç’duhet për këtë punë dhe kjo më pengon, pasi kam probleme me lojtarin, familjen dhe agjentin.

Lojtarët e Superligës? Shans ka gjithmonë. Kam folur edhe për këtë në të kaluarën. Nuk është e lehtë, është konkurrencë. Dera është e hapur, por nuk është e mundur të marrim një lojtar për ta motivuar apo gëzuar. Unë duhet të jem i ndershëm me të gjithë, është paraqitja ajo që ia mundëson ftesën."-përfundoi Challandes.

EMISIONET