Berlusconi jo më kryeministër, koalicioni drejtohet nga Mateo Salvini

Berlusconi jo më kryeministër, koalicioni drejtohet nga Mateo Salvini

Zgjedhjet e përgjithshme në Itali me shumë mundësi pritet të fitohen nga aleanca e qëndrës së djathtë, por kësaj rradhe, kandidat për Kryeminister nuk do të jetë Silvio Berluskoni. 81-vjeçarit i është ndaluar nga gjykata të mbajë funksione publike ndaj grupimi pritet të drejtohet nga Mateo Salvini i Ligës së Veriut. Sondazhet tregojnë aleanca e djathtë nuk do mund të fitojë mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme, ndërkohë që edhe koalicionet me PD ose lëvizjen "Pesë Yjet" duken si skenarë të vështirë.

Qëndra e Djathtë në Itali është projektuar të fitojë zgjedhjet e Përgjithshme që do të mbahen më datë 4 Mars të këtij viti, por sondazhet tregojnë se koalicioni i konfirmuar së fundmi mes partive Forza Italia, Lega Nord dhe Fratelli D’Italia nuk do të arrijë të marrë shumicën e nevojshme të vendeve në Parlament për të formuar qeverinë e vetme. Liderët e tre partive arritën një marrëveshje parimore për të garuar bashkë, por ka ende shumë pikëpyetje mbi bashkëpunimin.

Së pari, ende nuk është përcaktuar lidershipi i grupimit të djathtë, por me shumë mundësi, këtë detyre do t’a marrë kreu i Ligës së Veriut, Mateo Salvini, ndikuar edhe nga fakti se Silvio Berluskoni nuk mund të garojë për postin e Kryeministrit, si rrjedhojë e vendimeve gjyqsore që i ndalojnë atij mbajtjen e posteve publike. 81-vjeçari ka apeluar vendimin e gjyqsorit italian në Gjykatën e Strasburgut, por verdikti i kësaj të fundit nuk mendohet se do të bëhet i ditur përpara Marsit. Sipas sondazheve, qëndra e djathtë do të mund të fitojë nga 36 deri në 39% të votave, ndërsa thelbi i marrëveshjes politike do të jetë shkurtimi i taksave dhe rritja ekonomike.

Qëndra e majtë ndërkaq mendohet se nuk do të shkojë përtej 29% të elektoratit, duke qënë se PD ka përcjellë zhgënjim, lidhur kryesisht me pamundësinë për të sjellë rritje ekonomike. Gjithashtu, mbetet për t’u parë se si do të reagojnë votuesit ndaj një alternative tashmë të provuar si ajo e Ish-Kryeministrit Mateo Renzi. Me një rritje historike vjen në këto zgjedhjet Lëvizja Pesë Yjet, e cila pritet të renditet në vend të tretë por me një rezultat mjaft të ngushtë në krahasim me PD. Populistët italiane me shumë mundësi do të qëndrojnë në nivelin 26-27% të votave. Ndërkaq, të majtët e Partisë Liri dhe Barazi mund të mbërrijnë në stadin 6%.

Duke parë statistikat paraprake, ekspertët paralajmërojnë vështirësi të mëdha në formimin e një qeverie të qëndrueshme. Gjithashtu, ardhja në pushtet e qëndrës së djathtë mund të mos jetë lajmi më i mirë i mundshëm për Bashkimin Europian, duke qënë se tre partitë më të mëdha në koalicion kanë një frymë euro-skeptike.

EMISIONET