Berlin, asnjë sinjal për negociatat

Berlin, asnjë sinjal për negociatat

Ashtu siç pritej çështja e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbeti në sfond të Samitit të Berlinit. Kryeministrat e të dy vendeve, Rama dhe Zaev kanë kërkuan mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave, ndërkohë mediat gjermane shkruajnë se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që meriton të shpërblehet me datë për fillim të negociatave. 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kërkuan mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor. Kjo kërkesë e dy vendeve të Ballkanit u përcoll gjatë takimeve që kancelarja Merkel pati me delegacionet shqiptare dhe maqedone.

Tema kryesore e samitit të Berlinit është rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe gjetja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme për të dy vendet.

Çështja e zgjerimit është diskutuar vetëm në takimet dypalëshe që kancelarja Angela Merkel, zhvilloi me delegacionet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë bisedës, kryeministri Edi Rama diskutoi mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu ai foli edhe për pritshmërinë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama e falënderoi kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Më herët, kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, u takuan me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Para takimit të kancelares Merkel me kryeministrat Rama e Zaev, gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” njoftoi se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që meriton të shpërblehet me datë për fillim të negociatave me BE-në, ndërsa “Welt” shton se Merkeli planifikon t’i bëjë presion Macronit për hapjen e negociatave për dy vendet e Ballkanit.

 Shqetësim për Berlinin dhe Parisin është gjithashtu rritja e ndikimit të Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe besohet se kjo çështje është ngritur në takimet e zhvilluara me delegacionet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

EMISIONET