Ish-kryeministri Sali Berisha shpërtheu në akuza të ashpra ndaj ministrit të Financave Arben Ahmetaj në lidhje me incineratorët e mbetjeve, duke theksuar se njeriu i “tij” ka përfituar kontrata miliona euro pa vendosur as edhe një tullë të vetme. Gjatë fjalës në seancën parlamentare kushtuar dhunës ndaj grave, Berisha foli për djegësit e mbetjeve që pritet të ngrihen në Elbasan, Fier dhe Tiranë duke shpjeguar edhe skemën e grabitjeve të parave të taksapaguesve shqiptarë sipas tij.

Berisha: Afera është më pleh se të gjitha plehrat e Shqipërisë. Në vitin 2015, një kompani ofrohet dhe kërkon të ndërtojë djegësin e Elbasanit. 

Në kundërshtim me çdo ligj të vendit, kjo qeveri me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, brenda një dite në kundërshtim me ligjin brenda një dite bëjnë 9 veprime dhe ia japin tenderin atij që deshën, një famozi Klodian Zoto, ish-menaxheri dhe njeriu i Arben Ahmetaj në aferën e “Hermesit”, ku i vodhi miliona impulse qytetarëve shqiptarë. 

Ky zotëri e merr me 22 mln djegësin e Elbasanit. Po ky zotëri më 16 dhjetor 2014, e shet koncesionin me 16 mln euro një italiani dhe fut në xhep me një të rënë të lapsit 7 mln euro nga taksa paguesit shqiptarë. Në botë nuk mund të ndodhë kurrë në qoftë se ministri i Financave dhe kryeministri nuk janë në tavë dhe vjedhin si ujqër të tërbuar paratë e taksapaguesve.

Çfarë bënë me djegësin e Fierit? Ia dhanë Klodian Zotot, duke ndërruar emrat e kompanive me Vilma Nushin. I dhanë 28 mln euro. Ai ia shiti italianit me 15 mln euro. Futi në xhep 13 mln euro të atyre njerëzve që nuk kanë sot nga përmbytjet.

Ku janë deputetët e Fierit? A është vendosur një tullë për këtë vepër në Fier? Asnjë tullë e vetme. Kompania ka marrë 6 mln euro pa marrë akoma lejen e ndërtimit.

Vendi do të shkojë drejt destabilizimin.

Ai që jep pa bërë një punë, ai ndan paratë me kryeministrin se në botë ministër financash që mund të bëjnë një veprim të tillë pa lejen e kryeministrit.

Në Tiranë, djegësi do të jetë 128 mln euro. Kontrata nuk ekziston.

Këta fshehin kontratën sepse në buxhet kanë përcaktuar 10 mln euro për këtë vit. A vidhet në këtë mënyrë?

Këta janë një bandë ineksizente kund në botë. Është ministri i Mjedisit, Lefter Koka që ka marrë pjesën e vet por nuk e bënte kurrë një gjë të tillë. Nuk ka ministër Financash në botë si Arben Ahmetaj që ndan paratë me Klodian Zoton.

S’ka ministër Financash që mund të bëjë një veprim të tillë pa mbështetjen e kryeministrit. Ju jeni të lidhur pas mandatit por burrat nuk mund të jenë të lidhur pas mandatit si qeni ndaj dajakut.

Ka një qëndrim jashtëzakonisht cinik. Përgëzoj do akt për përmbytjet, por ja ku keni vendimet e qeverive të mëparshme. Pse para tepër kisha unë? Ata i ka përmbytur Vjosa dhe banojnë aty prej 20 vitesh. Për t’i dëmshpërblyer ata duhet shpallur emergjenca civile. Për ndryshe, qeveria vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh ndihmat e tyre.


/Ora News.tv/