Një djalë i ri bën selfie, ndërkohë që urgjenca po i vjen në ndihmë një gruaje të aksidentuar nga një tren.

Ngjarja ndodhi më 26 maj në stacionin e trenit të Piacenza-s, Itali dhe u dokumentua nga një foto e gazetarit Giorgio Lambri, publikuar nga e përditshmja 'Liberta'.

Djali u ndalua nga Polfer, policia e hekurudhës italiane, dhe u detyrua, jo pa protesta, të fshijë fotot nga telefoni.

I riu u 'kap mat' nga gazetari gjatë kohës që me një dorë bënte selfie-n dhe me dorën tjetër bënte shenjën e "V" të fitores para forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Polfer-i po bën ekspertimin e pozicionit të tij, por nuk duket se mund të gjenden akte penale në të.

Dinamika e aksidentit është duke u shqyrtuar nga hetuesit.

Gruaja, një kanadeze që kishte zbritur nga ana e gabuar, mbase nga një problem i dyerve të trenit, ka ngecur nën vagon.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë vajtur menjëherë në vendngjarje dhe pas transportimit në spital, gruaja i është nënshtruar një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjikale në këmbë.

/Ora News.tv/