Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Edi Reja ka befasur duke shtuar ditët e grumbullimit  të zakonshëm të kuqezinjve.

Ai i ka kërkuar FSHF-së ditë shtesë me qëllim njohjen sa më analitike të grupit të futbollistëve. Grumbullimi i parë do të bëhet në qytetin e Durrësit në datën 21 maj.

Duket se Reja i ka idetë e qartë, për të njohur sa më shumë ambientin kuqezi meqënëse koha në dispozicion është e pakët.

Italiani kërkon t'i njohë se si sillen futbollistët në terren, si bashkëveprojna ata dhe si mund të aplikojë me djemtë modele të reja efikase, që i përshtaten filozofisë së tij të punës. Po edhe Reja ka frikën e debutimit në një profesion tjetër.

Ai tërë jetën ka trajnuar klube futbolli dhe siç tha në konferencën premierë në Shqipëri, për të është një start i ri, një profesion tjetër.  

Kështu koha është e artë për të dy palët.Italiani kërkon që të njihet me gjendjen e grupit dhe ka nisur nga puna për tu përgatitur për dy ndeshje shumë të rëndësishme, kualifikueset e muajit qershor më 8 në transfertë kundër Islandës dhe tre ditë më vonë në Elbasan kundër Moldavisë.

RTV Ora mësoi se trajneri i ri ka vendosur që futbollistët, të cilët kanë përfunduar angazhimet me klubet e tyre të grumbullohen në Durrës më 21 maj, ndërsa vet tekniku do të vij në Shqipëri më 18 maj. Në dispozicion të tij pritet të jenë rreth 7-8 lojtarë, ndërsa në datën 26 pritet që grupi të jetë thuajse i kompletuar.

Futbollistët e parë që do të vihen nën urdhërat e Rejës pritet të jenë Ergys Kaçe, Migjen Basha, Kastriot Dermaku dhe Mërgim Mavraj. Grumbullimi zyrtar  është në datën 2 qershor dhe kombëtarja do të qëndrojë në Frankfurt ku për katër ditë do të stërvitet aty, për t’u drejtuar më pas drejt Islandës.

Por Reja kërkon të përfitojë, prandaj i ka thirrur 13 ditë më përpara lojtarët. Grumbullimi i parë është shumë i rëndësishëm jo vetëm për trajnerin, por edhe për lojtarët sepse ata duhet të lënë përshtypje tek Reja. Stërvitjet do të jenë intensive dhe të shpeshta, pasi trajneri kërkon të injektojë filozofinë e tij.

/Ora News.tv/