Bashkimi Europian i bëri thirrje njëzëri Iranit që t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ndërkohë në Teheran ka mbërritur këshilltari diplomatik i presidentit Macron që synon të negociojë për të ulur tensionet. Irani ka tejkaluar limitet e pasurimit të uraniumit që prej 8 korrikut.

Vendet europiane, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin, i bënë thirrje Teheranit të tërhiqet nga hapat e fundit për të rritur nivelin e uraniumit të pasuruar.

Në një deklaratë të përbashkët, Gjermania, Britania, Franca dhe Bashkimi Europian shprehën "shqetësim të thellë se Irani nuk po përmbush disa nga angazhimet e tij, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015".

Irani njoftoi më 8 korrik se kishte pasuruar uraniumin, përtej nivelit të pastërtisë prej 3.67 për qind, të lejuar sipas marrëveshjes. Nënshkruesit europianë të marrëveshjes, gjithashtu u bën thirrje të gjitha palëve "të veprojnë me përgjegjësi drejt uljes së tensioneve të vazhdueshme".

Ndërkohë në Teheran ka mbërritur për bisedime këshilltari diplomatik i presidentit Macron, Emmanuel Bonne. Mbërritja e tij në Teheran u përshëndet nga Ministria e Jashtme. Më herët, presidentët e Iranit dhe të Francës biseduan në telefon për hapat që duhen hedhur për të ulur tensionet.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani kufizoi veprimtarinë bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, në maj të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, u tërheq nga marrëveshja duke thënë se kushtet e saj nuk ka kanë qenë të ashpra mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin të zhvillojë armë bërthamore. 

/Ora News.tv/