Bashkimi Europian për Brexit: Johnson nuk do negociata

Bashkimi Europian për Brexit: Johnson nuk do negociata

Dalja e Britanisë së Madhe pa mirëkuptimin e Bashkimit Europian më 31 tetor mbetet varianti parësor i qeverisë britanike. Pas konsultimeve me delegatët e qeverisë, diplomatët europianë shprehen pesimistë për një pakt të mundshëm me kryeministrin, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, nuk ka ndër mend të negociojë me Bashkimin Europian për Brexit.

Diplomatët europianë deklaruan të martën për gazetën angleze "The Guardian", se skenari kryesor i kryeqeveritarit mbetet shkëputja e vendit nga BE pa mirëkuptim.

"Është e qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk ka si synim negociatat pasi nuk ka një plan për Brexit," citohet të ketë thënë një zyrtar i BE-së pas takimit me këshilltarin e Johnson për çështjet europiane, David Frost.

Ndërkohë propozimi i britanikëve për të shmangur kthimin e kufijve fizikë me shtetin e Irlandës pas Brexit kundërshtohet kategorikisht nga pala europiane.

Kryeministri Johnson është zotuar se në çdo rrethanë, vendi i tij nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Europian pas datës 31 tetor.

Kjo vendosmëri e tij ka krijuar rivalitet brenda partisë, dhe disa deputetë rebelë që janë shprehur vijimisht kundër Brexit pa mirëkuptimin e BE-së janë gati të bashkojnë votat me opozitarët laburistë për një mocion mosbesimi kundër qeverisë.

Lideri i opozitës, Boris Johnson, deklaroi të hënën se kjo nismë mund të ndërmerret pas pushimeve verore.

E ardhmja e marrëveshjes dypalëshe Britani-BE pritet të qartësohet më tej në muajin gusht.

Johnson është planifikuar të takohet me liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë gjatë një samiti në Francë, mes tyre edhe presidenti në detyrë i BE, Jean-Claude Juncker.

EMISIONET