BE-ja e paqartë për të ardhmen, Merkel: Më mirë të veprojmë të bashkuar

BE-ja e paqartë për të ardhmen, Merkel: Më mirë të

Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së nënshkruan në Sibiu të Rumanisë një deklaratë me “10 angazhime”, por ato përshkruajnë në vija të përgjithshme fokusin për vitet e ardhshme, në vend që të sugjerojë kursin e tanishëm të veprimit. Takimi joformal i krerëve të bllokut u mbajt në Ditën e Europës, 15 vjet pas zgjerimit të BE-së në lindje.

Krerët e vendeve të Bashkimit Europian u shfaqën të bashkuar gjatë takimit të tyre joformal në Sibiu të Rumanisë, një qëllim i përbashkët i bllokut pas kaosit që ka shkaktuar Brexit-i.

Ata nënshkruan një deklaratë me "dhjetë angazhime" mbi planin e ardhshëm pesëvjeçar të Europës për të cilën iu deshën vetëm disa minuta për të rënë dakord mbi projekt-tekstin, i cili u shpërnda javën e kaluar dhe mbulon çështje nga mbrojtja dhe sundimi i ligjit e deri te roli i BE-së në skenën botërore.

"Ne do të vazhdojmë të mbrojmë stilin tonë të jetës, demokracinë dhe sundimin e ligjit", thekson deklarata, duke konkluduar se BE-ja do të "trajtojë bashkërisht çështjet globale, të tilla si ruajtja e mjedisit dhe luftimi i ndryshimeve klimatike".

E përgjithshme dhe më pak specifike se konkluzionet tradicionale, deklarata përshkruan në vija të përgjithshme fokusin për vitet e ardhshme, në vend që të sugjerojë kursin e tanishëm të veprimit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, të gjithë anëtarët e BE-së besojnë se është më mirë të veprojmë së bashku.

Merkel: "Kjo do të thotë se mund të garantojmë paqen dhe prosperitetin, por gjithashtu duke bashkuar zërat tanë mund të bëjmë thirrje për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta në të cilat besojmë. Bota nuk është duke fjetur. Ne duhet të jemi novatorë, të fortë dhe të bashkuar. Dhe unë jam e gatshme ta përsëris sot këtë në emër të qeverisë gjermane."

Brukseli ka qenë i përfshirë në mosmarrëveshje mbi çështje të sundimit të ligjit në Hungari dhe Poloni gjatë vitit të kaluar.

Gjithashtu Rumania ka provokuar zemërimin e udhëheqësve të BE-së pas ndërhyrjes në sistemin gjyqësor.

Por gjithsesi të tre vendet e nënshkruan deklaratën, duke nënvizuar se sa të paqarta janë angazhimet.

Edhe në këtë takim nuk u fol për çështjet e zgjerimit.

Krerët e të gjithë anëtarëve përveç Britanisë ishin pjesëmarrës në takimin e mbajtur në qytetin Sibiu në Ditën e Europës, 15 vjet pas zgjerimit të BE-së në lindje.


EMISIONET