BE i kërkon Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për taksën

BE i kërkon Qeverisë së Kosovës të tërheqë

 Kosova është vënë nën presion ndërkombëtar për të hequr tarifat me vlerë prej 100 për qind për të gjitha mallrat e importuar nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, tha se vendimi i Prishtinës shkel marrëveshjen e tregtisë së lirë, CEFTA dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

“Vendimi i sotëm nga Qeveria e Kosovës për të rritur taksën ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja në 100 për qind është qartazi shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kjo më tej përkeqëson situatën pas taksës fillestare prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë menjëherë këto vendime”, tha Mogherini përmes një deklarate për media.

Reagimi i Brukselit erdhi disa orë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të njëjtën thirrje. Ai madje paralajmëroi kundërmasa, ndërsa thirri për konsultime, ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, si dhe të Gjermanisë, ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë.

"Dialogu ka edhe rregulla dhe ato duhen respektuar nga pala tjetër. Ne po presim që pala tjetër të kryejë detyrat e saj dhe të vendoset në anën e civilizimit. Kur ta bëjnë këtë, dialogu do të vazhdojë menjëherë", tha Vuçiç.

Qeveria e Kosovës tha se rritja e tarifave doganore me 100% bëhet për të mbrojtur interesat e vendit, ndërsa nuk përjashtohen masa të tjera në ditët në vijim.

 Zyrtarët në Prishtinë thanë të mërkurën se tarifat janë një kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë që më herët refuzoi Kosovës anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare policore INTERPOL.

EMISIONET