BDI-ja dhe LSDM-ja shpallin fitoren

BDI-ja dhe LSDM-ja shpallin fitoren

Partitë politike të parat e shpallin rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli, siç tha, fitore në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare.

Jam këtu për të konfirmuar lajmin e fitores së madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, në Çair, në Dibër, në Saraj, në Likovë, në Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili ka garuar në komunën e Strugës, për humbjen e tij e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptar.

“Në rast se kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër-kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se Ramiz Merko dhe BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, tha Sela.

Aleanca për Shqiptarëtnë koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, atë të Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.

Gostivari u çlirua nga një diktator. Koalicioni ka fituar edhe në Vrapcisht, Bogovinë dhe Zhelinë. Në të gjitha komunat ku kemi humbur, dallimi në vota është shumë i vogël - kjo tregon se shqiptarët u zgjuan”, theksoi Arben Taravari, i cili shpallifitoren e tij në komunën e Gostivarit duke paralajmëruar mbajtjen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së shpejti.

Ndërkohë, Social-Demokratët e kryeministrit Zoran Zaev, kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit.

“Zgjedhjet ishin kristal të pastra”, deklaroi Zaev, duke kërkuar nga VMRO DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor:

“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. Bëj thirrje deri tek udhëheqësia e VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kurse, lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, zgjedhjet vendore i quajti të falsifikuara.

“Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, derisa policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje e votave. Janë shpërndarë edhe artikuj ushqimorë”, u shpreh Gruevski, duke kërkuar formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Gruevski tha se nuk e njeh rezultatin zgjedhor.

Me rezultatet e para zyrtare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të dalë në mesnatë./Rel/

EMISIONET