Banka Botërore edhe në raportin e fundit për rritjen ekonomike kërkon që Shqipëria të vazhdojë uljen e borxhit publik. Përtej vlerësimeve për rritjen ekonomike në raport theksohet se ulja e borxhit publik dhe konsolidimi fiskal janë parakusht për vijimin e rritjes ekonomike në vend. Parashikimet e Bankës Boptërore janë që borxhi publik i Shqipërisë  pritet të bjerë nga 71.6 përqind e PBB-së në 2017 në 69.5 përqind në 2018 duke qenë 1 pikë përqindje më shumë se programi i qeverisë.

Tirane- Edhe pse ka rishikuar me rritje ecurinë ekonomike të vendit Banka Botërore përsëri ka rekomanduar që të vijojë konsolidimi fiskal dhe ulja e borxhit publik. Në raportin e fundit  për ecurinë e ekonomisë në vendet e rajonit Shqipëria renditet si një ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit publik. 

Nisur nga kjo qëndrueshmëria fiskale shihet si parakusht për rritjen ekonomike dhe Banka Botërore  kërkon mbajtjen e fokusit tek  konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik si dhe racionalizim  dhe  përmirësim  i  cilësisë  së shpenzimeve  publike. Në përputhje me rregullin fiskal thuhet në raport  borxhi publik pritet të bjerë nga 71.6 përqind e PBB-së në 2017 në 69.5 përqind në 2018. Por ky nivel nuk është i njëjtë me programin e qeverisë e cila ka pritshmëri më pozitive për uljen e nivelit të borxhit publik në vend.

Sipas raportit të Bankës Botërore, raporti i borxhit publik në ekonominë shqiptare duhet të ulet nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2022. Dy vite më parë, parlamenti shqiptar miratoi një ligj, i cili e detyron qeverinë të ulë borxhin vit pas viti

Ekspertët vlerësojnë se risqet më të mëdha janë borxhet që nuk dihen, që nuk pasqyrohen saktë nga entet publike, borxhet që nuk pasqyrohen por edhe mënyra se si përdoren këto para. Sipas raportit të Bankës Botërore luhatjet e kursit të këmbimit dhe dobësimi i euros pritet të mbajë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në një nivel pak më të ulët se vitin e kaluar, edhe pse financimi i jashtëm pritet të rritet.

/Ora News.tv/