Bashkia e Tiranës do të vijojë bashkëpunimin me Veronën por këtë herë në modernizimin e transportit publik dhe ndriçimit. Teksa takoi në Itali homologun Federico Sboarina, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se nëse privatët nuk do modernizojnë mjetet bashkia do të nis zëvendësimin e linjave private.

Nese linjat private të transportit publik nuk do të bëjnë modernizimin e mjeteve duke i kthyer ato në elektrike, Bashkia e Tiranës do të nisë zëvendësimin e tyre.

Kështu u shpreh nga Verona, kryetari Erion Veliaj teksa zhvilloi një takim me homologun Federico Sboarina.

Veliaj njoftoi se bashkëpunimi me Veronën do të intensifikohet përmes dy marrëveshjeve te reja atë në fushën e transportit dhe ndriçimit.

Veliaj: Po studiojmë mënyrën se si edhe me ndriçimin e qytetit, edhe me transportin publik, të ecim përpara. Ashtu siç kam premtuar, nëse privatët nuk do modernizojnë flotën e mjeteve, duke i kthyer ato në elektrike, bashkëpunimi me Veronën është prova konkrete që kemi nisur për të zëvendësuar shumë prej linjave private. Ashtu siç bëjmë më mirë pastrimin e qytetit, ashtu do të bëjmë edhe transportin publik.

Kryetari i Bashkisë së Veronës nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën.

Sboarina: Në Tiranë pata një mikpritje të pabesueshme. Munda të shoh për herë të parë një qytet me një energji të madhe, që po rritet vërtet me shpejtësinë e dritës. U takuam edhe me Presidentin e rajonit të Venetos, Luza Zaia, me të cilin diskutuam projekte të rëndësishme. Gjëja më thelbësore është se u krijua një raport i vërtetë mes dy kryetarëve të bashkive, të cilët e duan tokën e tyre dhe kështu mund të ndërtojnë së bashku diçka të rëndësishme.

Gjatë qëndrimit në Itali, Veliaj zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Rajonit të Venetos, Luca Zaia me të cilin shqyrtoi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e turizimit dhe bujqësisë.

Zaia: Më bëhet qejfi që takova kryebashkiakun e Tiranës dhe pashë dikë që do të punojë, ndaj ju uroj për këtë. Folëm për mundësinë për t’i bashkuar bashkë dy komunitetet tona në Veneto. Komuniteti shqiptar zë vendin e dytë në Veneto, ata janë integruar, janë pjesë e jona dhe e sfidave tona. Kështu që, nuk ka se si mos të biem dakord për t’u siguruar që Tirana dhe Veneto të bashkëpunojnë.

Nga Italia ku mori pjesë në panairin 'VinItaly', kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inkurajoi sipërrmarjet shqiptare që të merren me vreshtari dhe të bëhen pjesë e ketij tregu.

/Ora News.tv/