Opozita garanton mbështetje për hapjen e negociatave me BE-në.  

Për herë të parë pa akuza konkrete në adresë të qeverisë, kreu demokrat Lulzim Basha ka garantuar gjatë takimit të sotëm me eurokomisionerin Johanes Hahn se pavarësisht problemeve me keqqeverisjen shqiptarët meritojnë hapjen e negocitave

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD thuhet se "kreu i opozitës e nxiti Komisionerin për të ndikuar për një rekomandim pozitiv nga Komisioni".

I bindur se hapja e negocitave do të forcojë demokracinë Lulzim Basha kishte një kërkesë për Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

“Pavarësisht problemeve të keqqeverisjes në vend, shqiptarët aspirojnë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe kanë perqafuar vlerat e Bashkimit Europian. Hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri.”- mësohet të ketë thënë Basha

Basha siguroi Komisionerin Hahn për  vazhdimin e angazhimit pa kompromis të opozitës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të zbatimit në mënyrë kushtetuese dhe të paanshme të reformës në drejtësi, si dhe plotësimin e kritereve të tjera për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në takimin me komisionerin Hahn, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita është e vetëdijshme se vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë prova dhe rezultate konkrete dhe se Partia Demokratike do të luajë rol te rëndësishëm për arritjen e tyre.

/Ora News.tv/