Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha nga zonat e Astirit në Tiranë ku po mbështet banorët që do t'u shembet shtëpitë, se protesta e mijëra studentëve ua prishin rehatinë bandës së hajdutëve.

Basha u pyet nëse opozita do të kishte një protestë më 8 Dhjetor, siç ka ndodhur vitet e shkuara, duke deklaruar se Partia Demokratike është në krah të qytetarëve për çdo protestë të tyre.

Basha: Ne kemi një vendim dhe vendimi është që kudo ku të protestohet, të jemi në krah të njerëzve. Nuk ka detyrë më të lartë që opozita, nuk kam unë detyrë më të rëndësishme se sa të jem në krah të këtyre njerëzve.

Unë kam qenë krah tyre edhe kur nuk vinit ju, edhe kur kërcënohej një shtëpi për t'u shembur. Detyra jonë është të jemi pranë këtyre njerëzve. Kjo është një protestë qytetare. Studentët ia prishën rehatinë bandës së hajdutëve. Qytetarët do të protestojnë për të drejtat e tyre dhe ne do të jemi krah tyre.

Bashkimi është përgjigja e vetme për ta fituar këtë betejë në shkallë kombëtare. Sepse ky është një problem kombëtar, është një qeveri hajdute. Është një projekt që duhet rrëzuar. U është grabitur qytetarëve pushteti, që pastaj të grabiten pronat e tyre, pasuritë e tyre, taksat e tyre, me tarifat universitare, me PPP-të dhe kështu me radhë. 

-Do keni një reagim të përbashkët më 8 dhjetor? 

Basha: Mos kini merak se opozita di dhe u del ballë protestave madhështore. Jemi sonte këtu si çdo natë përkrah të qytetarëve. Do të jemi krah tyre. Mbështesim me shpirt protestën e studentëve, ata janë e ardhmja e këtij vendi. Tani për tani, opozita është në misionin e vet në krah të njerëzve.

/Ora News.tv/