Basha pret zv/kryeministrin e Maqedonisë: Miratimi i gjuhës shqipe, emancipim

Basha pret zv/kryeministrin e Maqedonisë: Miratimi i gjuhës shqipe,

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani me të cilin ndau vlerësimin për arritjet e fundit në vendin fqinj në avancimin e të drejtave të shqiptarëve, siç është dhe ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. 

Sipas zyrës së shtypit të PD, Basha i tha Osmanit  se kjo është shenjë e emancipimit të politikës e shoqërisë maqedonase dhe meritë e punës dhe unifikimit të faktorit shqiptar atje.

"2018 mund të jetë një vit i rëndësishëm për clirimin e vendeve të rajonit nga krimi, korrupsioni dhe keqqeverisja autokratike", u shpreh kryetari i opozitës. 

Gjithashtu Basha e siguroi zëvendëskryeministrin Osmani për mbështetjen e plotë dhe energjike të Partisë Demokratike në procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO.

Duke u ndalur në procesin e integrimit europian, Basha tha se sfidat kryesore mbeten përmbushja e kritereve bazë të Kopenhagenit, sic janë zgjedhjet e lira dhe drejtësia e pavarur. Në këtë kuadër, "për Shqipërinë rëndësi parësore ka mposhtja e krimit të organizuar me lidhje qeveritare", theksoi Basha, që është kthyer në kërcënimin kryesor për demokracinë dhe mirëqënien e qytetarëve dhe pengesë për avancimin e vendit drejt Europës.

Kryetari i opozitës theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të punojë me përkushtim total për përmbushjen e vizionit dhe objektivit të saj për Shqipërinë europiane dhe integrimin europian dhe euroatlantik të të gjithë rajonit si aspiratë mbarëkombëtare e shqiptarëve.

EMISIONET