Në mbledhjen e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare opozitare në Durrës, kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi se nga nesër do të publikohen fakte që ai i quan tronditëse, për ndikimin e ministrave duke i lënë lojrat e fatit nën kontroll   të kriminelëve.  Deklarata e Bashës erdhi në momentin kur parlamanti rrëzoi dekretin e presidentit për ligjin e tatimit mbi të ardhurat.

Basha: Duke nisur që nesër PD do të publikojë fakte tronditëse, që tregojnë sesi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojrat e fatit dhe për ti përdorur ato për aktivitetin kriminal, që nuk është më mbjellja e kanabist, ndonëse vazhdon. Por është pastrimi i parave të pista të kokainës, heroinës dhe aferave korruptive të Ramës dhe bandës së hajdutëve të tij në qeveri.

Duke folur për vettingun në politikë, Basha tha se kryeministri Edi Rama nuk e do këtë, por garantoi se ai do të miratohet dhe asnje politikan me lidhje kriminale apo i korrputar nuk do të shpëtojë.

Basha:  Rama nuk e do vettingun politik. Sepse vettingu politik ka për qëllim të largojë nga parlamenti, nga qeveria dhe nga zyrat e larta të shtetit, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Për këtë arsye ka lançuar një fushatë paniku, plot me gënjeshtra dhe me mashtrime të trasha dhe pretendime false e të gënjeshtërta.

Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi paralajmëron aksion opozitar me surpriza, pa detajuar instrumentat që do të përdoren.

Ndërkohë Basha iu përgjigj pozitivisht,  kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, për të bashkëpunuar në opozitë. Ai tha se e mirëpret këtë kërkesë bazuar mbi parimet dhe objektivat që opozita ka shpallur, për të çliruar vendin nga bashkëqeverisja me krimin.



/Ora News.tv/