Basha nesër në Prokurori? Bardhi: Spekulim, Prokuroria t'i bëjë publike letërporositë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, deklaroi në RTV Ora se nuk ka asnjë thirrje nga Prokuroria për zotin Basha apo Ristanin për ditën e nesërme lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes ai tha se e gjitha është spekulim.

Megjithatë ai tha se ka një ftesë nga organi i akuzës ndaj tyre për tu njohur me letërporositë e ardhura nga SHBA dhe Skocia, por kohën e gjen të papërshtashme.

Sipas Bardhit Prokuroria i ka në zyrën e saj prej 8 muajsh ata fashikuj dhe është e lirë ti bëjë publike.

Por fakti që kjo çështje ngrihet në këtë moment, Bardhi ngre akuza se prokuroria po përdoret politikisht.

Bardhi: As zoti Basha, as unë, as zoti Ristani dhe as drejtori i Financave në Partinë Demokratike nuk janë thirrur nesër në Prokurori për ty pyetur për këtë çështje, është një spekulim. Secili prej nesh në cilësinë tonë zyrtare si përfaqësues të PD jemi thirrur nga prokuroria për tu njohur me aktet e letërporosive që kanë ardhur nga SHBA dhe Skocia. Prokuroria na ka ftuar që të njihemi  me përmbajtjen e këtyre akteve.Nuk kemi as një merak as për tu njohur dhe as për të  mos u njohur. Kjo është një e drejtë e jona nëse duam të njihemi apo jo me aktet.

Personalisht gjykoj që prokuroria nuk ka pse më thirr mua për të lexuar aktet në zyrën e prokurorit, nuk janë akte sekrete, mund ti bëjë publike në media dhe të shuajë dhe gjithë tymnajën që ka krijuar PS. Sa herë ndodhen në vështirësi e hapin këtë çështje.U risoll për herë të parë kur u zbuluan përgjimet e Antimafias italiane për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, u risoll në vëmendje kur dolën përgjimet për vëllain e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe risillet tani kur Shqipëria është në protestë kundër qeverisë dhe këtij parlamenti ilegjitim.

I bëj thirrje prokurorisë të mos përdoret politikisht, nëse kanë ardhur aktet që në fakt kanë ardhur por nuk kanë ardhur dje dhe as këtë muaj. Ka 8 muaj që përgjigjet nga SHBA dhe Skocia kanë ardhur në prokurorinë e Tiranës, t'ia bëjë me dije publikut.

Nuk janë sekrete. Sa kohë ftohem unë dhe zyrtarë të tjerë të PD për tu njohur me to do të thotë se nuk përbëjnë më as sekret hetimor.T'ua japin dhe ju dhe qytetarëve se çfarë përmbajnë.Çdo thirrje tjetër me procedurë ekstraligjore, pa asnjë bazë ligjore është thjesht mekanizëm propagande që orkestrohet nga qeveria dhe ne nuk kemi asnjë arsye për tu bërë pjesë e kësaj propagande.

Sigurisht që do të përmbushim çdo detyrim ligjor sa herë të na thërrasë Prokuroria, nuk kemi asnjë problem ne për të shkuar në prokurori sa herë është e nevojshme dëshmia jonë apo sa herë që prokuroria në përputhje me ligjin të çmojë që ne duhet të shmkojmë në prokurori. Por të shpiken procedura apo akte që nuk kanë bazë ligjore për ti shërbyer propagandës së qeverisë kjo cënon shtetin ligjor dhe është një tjetër provë që prokuroria sot kontrollohet terësisht nga qeveria.

EMISIONET