Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet në rrugën “Hasa Cufa” që lidh lagjen “Ali Demi me Bërrylin”. Kjo rrugë ka qënë problematike pasi shtëpitë e ndërtuara kanë zënë rrugën ekzistuese dhe për këtë ka pasur edhe kundërshtime të banorëve. Por kryetari i bashkisë Basha ka theksuar sot se janë bërë të gjitha shpronësimet e nevojshme dhe tashmë qytetarët do të kenë një rrugë me të gjithë parametrat. “Me ndërtimin e kësaj rruge ne përmbushim një premtim të bërë një vit më parë për banorët e kësaj zone. Premtim që të lëvizin me një trafik më të shpejtë, me një kosto më të ulët. Ky investim po bëhet në kushtet e shpronësimit të plotë të pronarëve. Shpronësimet kapin vlerën e 112 milionë lekë nga fondet e bashkisë së Tiranës” tha Basha. Rruga “Hasa Cufa” do të jetë 180 metra e gjatë, me 4 korsi ku sipas kryebashkiakut Basha përveç parkimit dhe rrjetit nëntokësor, si kanallizimet rrjetit elektrik, një vëmendje e veçantë do t`i kushtohet edhe elementëve komunitarë si gjelbërimi intensiv por edhe krijimit të këndeve të lojrave për fëmijë.


/Ora News.tv/