Në takimin me Zëvendësministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi qeverinë –sipas deklaratës së shpërndarë nga PD- si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj më trafikun ndërkombëtar të drogës.

Kreu i opozitës i tha zëvendësministrit të Jashtëm austriak se nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë si ndërtimi dhe projektet PPP.

Kryetari Basha tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.

Basha: Bashkimi Evropian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti. Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes. Partia Demokratike beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.

Partia Demokratike beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.

Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian dhe Zv. Ministri i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete. 

/Ora News.tv/