Basha i prerë nga Miloti: Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, opozita nuk klonohet

Basha i prerë nga Miloti: Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, opozita nuk

Në aktin e parë të mosbindjes civile të opozitës, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, deklaroi i prerë nga kryqëzimi i Milotit se zgjedhje lokale me 30 qershor nuk do të ketë, ndërsa tha se opozita nuk mund të klonohet e as shpiket, duke iu referuar këtu opozitës së re parlamentare.

Basha: Ora e Shqipërisë çiflig i Edi Ramës dhe 20 hajdutëve të tij po mbaron. Një orë e re po troket.  Me 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri, këtë e di dhe bufi dhe vëllai i bufit Edi Rama, nuk ka zgjedhje pa opozitën. Opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet. Ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne, e bashkuar me popullin, e bashkuar me njerëzit. Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje me 30 qershor sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral që është nëna e krimeve ekonomike, papunësisë dhe varfërisë që ka prodhuar grabitja dhe vjedhja pa fre e njeriut më të paaftë, më të korruptuar dhe më të inkriminuar në 30 vite të pluralizimit, Edi Ramës. Jemi sot për të dëshmuar vendosmërinë për ti shkuar betejës deri në fund. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, me asnjë formë, me asnjë çmim krim elektoral, zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. 

Paralajmërimit të Ramës se do të shkojë në burg kushdo që guxon të prishë zgjedhjet, Basha iu përgjigj se në burg do të shkojnë ata që cënojnë zgjedhjet, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Edi  Ramës.

Basha: Duhet ta dijë mirë Edi Rama, shërbëtorët dhe mercenarët e tij se në burg do të shkojnë me të vërtetë ata që cënojnë zgjedhjet, në burg do të shkojnë Vangjush Dako, në burg do të shkojë Damian Gjiknuri, në burg do të shkojnë të gjithë bashkëpunëtorët e Edi  Ramës, të cilët janë kapur duke trafikuar votat e shqiptarëve. Çdo shqiptar i lirë e ka për detyrë dhe mision kombëtar që të na bashkohet ne që 30 qershori mos të jetë dita e një krimi tjetër elektoral. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejojmë krimin elektoral të përsëritet. Është misioni jonë, borxhi ynë për ata që sakrifikuan për liri dhe demokraci që të mos lejojmë  më krimin elektoral në asnjë qendër të vetme votimi por të luftojmë sy për sy, dhëmbë për dhëmbë për demokraci, për liri. Vetëm kështu do të mund të kthejmë normalitetin dhe stabilitein duke ju dhënë shqiptarëve të drejtën e pamohueshme, të zgjedhin ata parlamentin dhe qeverinë.

Shefi i opozitës përsëriti kushtin e panegociueshëm se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë. Ndaj dhe ftesa për zgjidhje politike nuk mungoi.

Basha: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të mundura vetëm kur kujdestari i zgjedhjeve nuk mund të jetë më përdhunuesi serial i zgjedhjeve. Edi Rama kurrë më nuk do të jetë kryeministri që organizon zgjedhje në Shqipëri sepse zgjedhjet me Edi Ramën nuk janë zgjedhje por krim, farsë, fasadë, themeli i të keqes. Largimi i Edi Ramës është kush i panegociueshëm i opozitës, PD dhe popullit të bashkuar për demokraci. Le ta dijë fare mirë se kjo e sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Shqipëria është në këmbë, Edi Rama dhe një grusht horrash nuk e marrin dot më peng vullnetin e  shqiptarëve. 

Një orë e më parë zgjidhja politike do ti hapë rrugë zgjidhjeve të tjera që shqiptarët presin, ne i kemi këto zgjidhje dhe jemi të gatshëm të shërbejmë me përulësi dhe jo arrogancë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe kriza e thellë sociale. Jemi gati që sot ta përshkallëzojmë betejën por le të jetë e sotmja një paralajmërim se Edi Ramës dhe bandës së tij po i mbaron koha, se 30 qershori do të jetë dita e triumfit të shqiptarëve të lirë, nuk do të ketë dhe nuk do të lejojmë me asnjë çmim krimin elektoral me 30 qershor në asnjë qendër të vetme votimi. Koha kur votën e shqiptarëve e merrte peng krimi po merr fund.

Më tej kryedemokrati deklaroi se Rama me gjashtë vite pushtet i vuri shkelmin demokracisë, madhe shkatërroi ekonominë dhe vuri oligarkët në krye të pronave të shqiptarëve.

Basha: Shpreh mirënjohje për pjesëmarrjen tuaj masive dhe monumentale këtë të enjte në Milot dhe falenderoj të gjithë protestuesit e tjerë në akset e tjera. Ata nisin sot aktin e mosbindjes civile si provë e forcës së pathyeshme të popullit shqiptar, për ta çuar deri në fund betejën. Sot vendi ynë ndodhet në një udhëkryq ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar, i dështur, i historisë së pluralizmit. Arroganti, mashtruesi, Edi Rama i vuri shkelin demokracisë. Brenda 6 viteve, shkatërroi ekonominë, uli oligarët në krye të pasurive të shqiptarëve. 

Ne e dimë se pesha e këtij udhëkrqyi peshon ën përditshmërinë e shqiptarëve. Pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë dalje nga varfëria e tejskajshme. Rama e ka bërë karburantin e shqiptarëve më të shtrenjë në të gjithë Europën, rritja e çmimit të energjisë, taksave që kanë rënduar xhepat e baballarëve, kanë fundosur bizneset dhe e kanë bërë të pamundur për rininë të gjejnë një vend pune me rrogë të mirë, duke i shtyrë dreëjt emigrimit. Vetëm një uzurpator mund të marrë vendime që të nxjerrë nga shtëpitë e tre dhe të nxjerrë jashtë me gaz lotsjellës banorët. 

Gjithashtu për Bashën koalicioni opozitar është mazhoranca më e madhe e këtij vendi, që do të largojë Ramën dhe qeverinë e tij.

Basha: Fermëri i kësaj të keqjeje është rënia e demokracisë, votës së lirë. Pa zgjedhje të lira qeveria nuk i jep llogari popullit, por krimit. Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Europës.  Ne jemi të vendosur se kështu nuk mund dhe nuk do të vazhdohet më. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, moral dhe politik. Është mazhoranca e re e shqiptarëve që e duan Shqipërinë të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Por së pari duhet të çlirojmë zgjedhjet. 


EMISIONET