Për të tretën herë brenda pak muajve deputeti demokrat Ervin Salianji është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë shpjegime lidhur me dy video të dosjes "Babalja".

Por në ndryshim nga dy herët e para që ishte në cilësinë e dëshmitarit, Salianji u pyet këtë herë si person nën hetim për akuzën e "kallzimit të rremë".

Ai u fut në ambientet e Prokurorisë në orën 09:30 dhe doli prej andej në orën 11:45. Pas daljes, deputeti demokrat u shpreh se rrjedha e hetimit ka ndryshuar.

Salianji: Prokuroria ishte po aq e qartë sa edhe publiku, që rrjedha e hetimit ka ndryshuar dhe kam dhënë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen apo fakte të tjera që gjenden në fashikullin e Prokurorisë, prokurorisë mund t’i kenë dalë nga vëmendja që Taulanti prej Librazhdi dhe Ard Veliu nga Delvina kanë paguar dhe kanë dhënë “një pako të mirë” për dëshmitarin kryesor të prokurorisë, i cili në një bisedë të lirë relaksi, duket të plotë, ka treguar të gjithë historinë e vetë se si ka ardhur dhe se si është fabrikuar nga policia e shtetit dhe nga vartësit e Fatmir Xhafajt, për të shpëtuar jo vetëm vëllain e vetë por edhe lëkurën e vetë në krye të Ministrisë së Brendshme.

I pyetur se cilit nga versionet e Fredi Alizotit i besonte, Salianji pati këtë përgjigje:

Salianji: Unë besoj në Zot, tek Alizoti beson Edi Rama. 

Por mësohet se gjatë marrjes në pyetje nga dy prokurorët Gent Osmani dhe Përparim Kulluri, deputeti demokrat ka dëshmuar se videon e dytë ja ka dhënë ish-kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, ndërsa ai nuk ka më shumë material sesa ai i transmetuar.

Tashmë pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vërë përballë në një seancë ballafaqimi Florenc Hoxhën dhe Fredi Alizotin.

Në Prokurori edhe Lulzim Basha 

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha ndodhet në Prokurori për dy çështje të ndryshme  kryetari i Partisë Demokratike Lulzim  Basha dhe deputeti Ervin Saljanji.

Basha është thirrur në prokurorinë e Tiranës pas procedimit të nisur për shpërdorim detyre të ish-oficerit Emiljano Nuhu në çështjen “ Xhisiela”.  Prokuroria e Tiranës u shndërrua në institucionin pritës të padive të ndërsjellta me deklarata politike mes maxhorancës e opozitës për çështjen Xhisiela.

Partia Demokratike paditi kryeministrin Edi Rama, pas deklaratës së tij se do ta ndiqte ish-oficerin Nuho këmba-këmbës, ndërsa kreu i grupit të PS Taulant Balla paditi Bashën dhe disa deputetë të PD për shpifje. Por ndërkohë në të njëjtën  ditë por jo në të njëjtin orar, deputeti Ervin Saljanji është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si person nën hetim për çështjen Babalja.


/Ora News.tv/