Basha del nga Prokuroria me mesazh për Ramën: S'më tremb dhe as nuk shantazhohem

Lulzim Basha u pyet për rreth 55 minuta në Prokurorinë e Tiranës pas kallëzimit të Taulant Ballës për kallzim të rremë dhe shpifje. Thirrja e kryetarit të opozitës në një regjim kriminal për t’u paraqitur në Prokurori, u shpreh Basha, nuk është fundi i opozitës  por fillimi i fundit të regjimit kriminal.

Lulzim Basha iu bind kërkesës së prokurorisë dhe u paraqit në organin e akuzës së Tiranës për të dëshmuar pas  kallëzimit  të kreut  të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për “kallëzim të rremë” dhe shpifje sa i përket çështjes “Xhisiela”.

Basha: Dy deputetë të opozitës janë thirrur sot në Prokurori; deputeti Salianji, sepse është kallëzuar nga një trafikant i dënuar droge dhe unë i kallëzuar nga një politikan bandit i lidhur me krimin.

Kur regjimet e korruptuara dhe të inkriminuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën e dëshpëruar për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar pushtetin e tyre të inkriminuar.

Thirrja e kryetarit të opozitës në një regjim kriminal për t’u paraqitur në Prokurori, nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal.

Basha,  tha se ai dhe opozita nuk termben nga ato që i quan makinacione të shtetit privat të Edi Ramës.

Basha: Sot kam një mesazh të qartë për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre në shtet, media dhe kudo: Partia Demokratike, unë dhe shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika, as nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze.

Në derën e prokurorisë, Basha tha se opozita është e vendosur për të vazhduar deri në fund betejën për çmontimin e asaj që e cilëson si diktaturë mafioze. 

 

 


EMISIONET