Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha nga zona e Unazës së Re në protestën e përditshme që zhvillohet atje, se për 48 orë, studentët arritën të fusnin Edi Ramën poshtë minderit.

Basha: Shikoni studentët, për 48 orë e kanë futur Edi Ramën poshtë minderit. E patë si ishte bërë apo jo? Por beteja nuk ka përfunduar. E vërteta triumfoi sepse banorët e Unazës së Re i kanë treguar gjithë shqiptarëve një mësim të madh se po të jemi të bashkuar e zmbrapsim bandën e hajdutëve, sado gangsterë, policë dhe media të blera, populli do t'i zmbrapsë. 

Qëndresa duhet të vazhdojë derisa shtëpitë e këtyre banorëve të jenë të garantuara, derisa pastrimi ndërkombëtar të jetë zbuluar dhe autorët të dalin para drejtësisë. Akoma ka një betejë për të garantuar shtëpitë e tyre. U bëj thirrje prindërve të këtyre studentëve që mos i lini vetëm. Edhe ata janë ngritur kundër grabitjes.

 Kjo është rruga e vetme, gjuha e vetme për t'iu kundërvënë hajdutërisë. Donte të vidhte 18 milion euro për t'i çuar në Amerikë. Se çfarë do të bënte me këto para, do ta marrim vesh edhe këtë. Qëndresa dhe bashkimi funksionojnë dhe e zmbrapsin hajdutërinë. Zgjidhja politike është ngritja dhe bashkimi i qytetarëve për të shembur këtë sistem që nuk ka asnjë lidhje as me demokracinë dhe as me ekonominë e tregut. 

/Ora News.tv/