Tjetërsimi i pronave në Shqipëri është një fenomen i njohur, e që i ka rrënjët prej fillimit të demokracisë.  

Problematika e krijuar është e madhe dhe e tillë është edhe historia e banorëve të fshatit Rrjoll në Velipojë, që mëngjesin e së enjtes dolën në protestë. 

Ata akuzojnë se me mbështetje të politikanëve, biznesmeneve dhe gjyqtarëve të korruptuar, po u vidhet përmes vendimeve të fallsifikuara të drejtësisë, prona që kanë të trashëguar prej të parëve të tyre. Për të mbështetur qëndrimin e tyre ata thonë se disponojnë edhe konstatimin e prokurorisë së Shkodrës ku sqarohet qartë se prona është e fallsifikuar, por fajtor nuk ka.

Ata nuk kursejnë as akuzat ndaj hipotekës së Shkodres, e cila ka kryer regjistrimin e pronës sipas tyre në bazë të dokumentave të fallsifikuara. Të vendosur për të mos lejuar tjetërsimin e saj, ata shprehen se janë të gatshëm ta mbrojnë me çdo kusht, por i kërkojnë shtetit të mos i çojë deri në gjakderdhje.

Janë 95 mijë metër katrorë tokë në breg të detit në zonen e Rrjollit në Velipojë e cila sipas banorëve është pronë e tyre e përbashkët që nga viti 1936. Prona ngjitur me brezin rënor, ka një gjatësi prej 4 kilometrash dhe i përket 13 fiseve, të cilat paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri me bllokim rruge, nëse nuk zgjidhet kjo problematikë.

/Ora News.tv/